2014-03-19 14:54:46

Tiranë: Gëzimi i jetës do të jetë në qendër të takimit të delegatëve europian për baritoren universitare


Rreth 30 pjesëmarrës, përgjegjës kombëtarë për baritoren universitare të Konferencave Ipeshkvnore të Europës dhe të lëvizjeve kishtare europiane zhvillojnë një takim në Tiranë duke filluar nga sot, 23 mars në mbrëmje deri më 26 mars paradite.

Tema e konferencës “Gëzimi i jetës si dhuratë që të jepet apo si thesar që duhet kërkuar” (Gj. 10,10; 15,11), është një temë e një rëndësie të veçantë në detyrën e kapelanit universitar.

Punimet do të fillojnë me përshëndetjen e Mons. Marek Jędraszewski, president i Seksionit Universitar të Komisionit “Katekizëm, Shkollë dhe Universitet” të KKIE si dhe të don Michel Remery, Zv –Sekretar i Pëgjithshëm i KKIE.

“Ambienti universitar është vendi i studimeve kërkimore, përpunuese si dhe vëndi i transmetimit të dijes në shkallën më të lartë. Për të qenë e plotë kjo “dije” nuk kufizohet në kërkimet thjesht shkencore, por në plan të parë edhe në kërkimin e burimit të lumturisë së vërtetë në jetë” shprehet don Michel Remery, Zv –Sekretar i Pëgjithshëm i KKIE. Më poshtë vazhdon “I riu, student nuk e kupton gjithnjë që po kufizohet në kërkimin e mirëqënies se përkohshme dhe fluturake që nuk arrin të shuajë etjen e tij të lindur për gëzim e lumturi. Kisha mund t’i ofrojë çdo studenti të angazhuar në këtë kerkim, burimin e vërtetë të një gëzimi të qëndrueshëm e të plotë: Krishtin. Kjo është detyra e baritores universitare sot: të krijojë pra lidhje mes kërkimit të thjesht shkencor dhe kërkimit të personalitetit të të riut dhe të lumturisë. Kjo është një sfidë edhe më urgjente në Shqipëri, një vend që ka vuajtur një ateizëm të detyruar nga Shteti e që sot kërkon lumturinë e tij të vërtetë”.

Punimet parashikojnë ndërhyrjet e prof. Kaja Kamierska, e cila do të bëjë një përmbledhje të literaturës aktuale mbi jetën e studentëve universitarë sot, si dhe një ndërhyrje nga don José Claveria i cili do të shtrojë pyetje mbi faktin se si Ungjilli bëhet pjesë e eksperiencës së studentëve universitarë.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të flasin mbi situatën e baritores universitare në vendet përkatëse dhe do të përballen me çështje të ndryshme: cilat janë kompetencat dhe burimet që një kapelan universitar mund t’u ofrojë studentëve; si mund të shpallet Krishti sot; si kërkohet sot Krishti në një shoqëri post – ateiste?

Ditët e takimit do të ndërthuren me momente lutjeje dhe kremtimesh eukaristike. Punimet do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Në fund të punimeve do të shpërndahet një komunikatë shtypi.








All the contents on this site are copyrighted ©.