Para një viti, mesha e fillimit të papnisë së Horhe Mario Bergolios
Si sot, para një viti, Papa Françesku fillonte shërbimin e tij pjetrin, me një meshë,
kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Shën Jozefit. Rreth 200 mijë
vetë, ndër të cilët delegacionet e mëse 130 shteteve e organizmave ndërkombëtare,
e patën mbushur plot e përplot sheshin, me një entuziazëm, që vazhdon akoma. Përshëndetja
e parë e Papës Françesku qe për paraardhësin, për Benediktin XVI, që si sot, kremtonte
ditën e emrit: “Falenderoj Zotin
që po kremtoj këtë Meshë Shenjte të fillimit të shërbimit pjetrin, në solemnitetin
e Shën Jozefit, dhëndërr i Virgjërës Mari dhe pajtor i Kishës universale: është përkim
i pasur me domethënie e, edhe dita e emrit e Paraardhësit tim të nderuar. Jami pranë
tij me lutje, me dashuri e mirënjohje”. Homelia e fillimit të papnisë përqendrohet
në konceptin e “ruajtjes e të mbrojtjes”. Shën Jozefi mbron Marinë dhe e ushtron këtë
detyrë “pa bujë, me përvuajtëri, në heshtje, por me praninë e tij të vazhdueshme,
plotësisht besnik edhe kur nuk kupton”. Papa i porosit të gjithë ta mbrojnë e ta ruajnë
Krishtin, secili në jetën e vet, sepse vetëm kështu mund t’i mbrojnë e t’i ruajnë
edhe të tjerët me dashuri, sidomos më të brishtët, fëmijët, të moshuarit, të varfërit: “Atëherë,
po shtoj këtu një vërejtje tjetër: të kesh kujdes, të ruash, kërkon mirësi, kërkon
dhembshuri. Në Ungjij, shën Jozefi duket si njeri i fortë, i guximshëm, punëtor, por
shpirti i tij është plot dhembshuri, që nuk është virtyt i të dobtëve, përkundrazi,
tregon fuqi shpirtërore e aftësi për vëmendje, për mëshirë, për takim me tjetrin,
aftësi për ta dashur me gjithë zemër. Nuk duhet të kemi frikë nga mirësia, nga ëmbëlsia!” E
më pas, Papa Françesku pati folur për shërbimin pjetrin, i cili mban në vetvete një
pushtet. Por për ç’lloj pushteti është fjala? “Të mos harrojmë kurrë se pushteti
i vërtetë është shërbimi e se, edhe Papa, për ta ushtruar këtë pushtet, duhet të hyjë
gjithnjë e më tepër në atë shërbim, i cili arrin kulmin e vet të ndritshëm në Kryq;
duhet të marrë shembull nga shërbimi i përvuajtur, konkret, i pasur me fe, i shën
Jozefit e si ai, t’i hapë krahët për të mbrojtur gjithë Popullin e Zotit e për të
përqafuar me dashuri dhe ëmbëlsi krejt njerëzimin, sidomos më të varfërit, më të brishtët,
më të vegjlit, ata, që shën Mateu i përshkruan në gjykimin e mbramë: të uriturit,
të eturit, të huajt, të paveshurit, të sëmurët, të burgosurit (shih Mt 25,31-46).
Vetëm kush shërben me dashuri di të ruajë e të mbrojë!” Homelia e Papës Françesku
mbyllej me ftesën për shpresë, gjithnjë aktuale: “Edhe sot, para hapësirave
të shumta me qiell gri, kemi nevojë të shohim dritën e shpresës e ta përçojmë edhe
ne vetë shpresën. Të ruash e të mbrosh krijesat e Zotit, çdo burrë e çdo grua, me
dhembshuri e dashuri, do të thotë t’ia hapësh horizontin shpresës, të hedhësh një
rreze drite në mesin e reve të shumta, do të thotë të sjellësh ngrohtësinë e shpresës!
E për besimtarin, për ne të krishterët, si Abrahami, si Shën Jozefi, shpresa që kemi
në zemër ka të njëjtin horizont me Zotin, që na u hap përmes Krishtit, me themelet
në atë shkëmb, që është Hyji”.