2014-03-19 14:53:51

Papa, etërve, në audiencën e përgjithshme: Jozefi është modeli juaj, rrini pranë fëmijëve


Të dashur baballarë, uroj të jeni gjithnjë pranë fëmijëve tuaj, si Shën Jozefi pranë Jezusit, duke i ndihmuar të rriten në moshë e në hir. Me këtë urim, pasuar nga duartrokitje të stuhishme, e përfundoi Papa Françesku audiencën e sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, kremtuar para më se 60 mijë vetëve, kushtuar Pajtorit të Kishës universale, në ditën e kryevjetorit të fillimit papnisë.RealAudioMP3

Qe njeri i aftë për ta ndihmuar Zotin të rritej në moshë, dije e hir. Kjo, sipas Papës, ishte jeta e pashembullt dhe e papërsëritshme, e jetuar nga Shën Jozefi, engjëll rojës pa flatra për fatin e vet të dashur, Marinë, për djaloshin Jezus e për Kishën, që e nderon si Pajtorin e vet universal. Përvojë e papërsëritshme, e megjithatë, e imitueshme, kjo e zdrukthëtarit të Nazaretit.
Përballë një sheshi, që dita e festës dhe pranvera e mbushën përsëri me mijëra njerëz, Papa shpjegoi si e pse Jozefi u bë model i edukatorit. Para së gjithash, theksoi Ati i Shenjtë, sepse e shoqëroi me shumë kujdes aspektin më natyror për një atë, rritjen fizike e psikologjike të Jezusit të tij, pa u lakuar as përballë rrezikut:
“E ushqeu, duke u kujdesur të mos i mungonin gjërat e nevojshme për zhvillimin e shëndetshëm. Nuk duhet harruar se kujdesi, gjithë zell, për jetën e fëmijës përfshin edhe ikjen në Egjipt, përvojën e hidhur të të jetuarit si refugjatë – Jozefi qe refugjat, me Marinë e Jezusin – për të shpëtuar nga kërcënimi i Herodit”.
Jozefi e ndihmoi Jezusin të rritej jo vetëm në moshë. Ai u bë për Zotin edhe mësues i dijes, sepse pati urtinë - kujtoi më pas Papa, duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës arabe – ta kapërcejë errësirën e dyshimit, pa e humbur për asnjë çast besimin në Zotin e në dashurinë e Tij:
Mund ta përfytyrojmë sesi Jozefi e edukoi Krishtin Fëmijë për të dëgjuar Shkrimet e Shenjta, posaçërisht duke e shoqëruar të shtunave në sinagogën e Nazaretit. E Jozefi e shoqëronte, që Jezusi të dëgjonte Fjalën e Zotit, në sinagogë”.
Përmasa e tretë, është ajo e hirit. Këtu, sigurisht, vërejti Papa Françesku, pjesa që i takonte Jozefit ishte më e kufizuar, në krahasim me moshën e dijen. E megjithatë:
“... do të ishte gabim i rëndë të mendohej se një baba a një nënë nuk mund të bëjnë asgjë për t’i edukuar fëmijët, që të rriten në hir të Zotit. Të rriten në mote, të rriten në urti, të rriten në hir: këtë punë bëri Jozefi me Jezusin, e bëri të rritej në këto tri përmasa, duke e ndihmuar të zhvillohej në mënyrë të gjithanëshme”.
Tri përmasa, që në gojën e Papës Françesku, në përfundim të audiencës, u bënë urim i përzemërt e ftesë prekëse drejtuar gjithë baballarëve, që të ecin në gjurmët e Jozefit:
Lypi për ju hirin të jeni gjithnjë shumë pranë bijve tuaj, duke i lënë të rriten, po pranë e pranë! Ata kanë nevojë për ju, për praninë tuaj, për afërsinë tuaj, dashurinë tuaj. Uroj të jeni për ta si Shën Jozefi: rojtarë të rritjes në mote, në dije, në hir. Roje, në çdo hap të udhës së tyre; edukatorë e bashkudhëtarë me ta. E me këtë afërsi, do të bëheni edukatorë të vërtetë. Ju falënderoj për kujdesin ndaj bijve tuaj. E ju uroj të gjithëve, gëzuar festën e babait e të të gjithë etërve, që janë e s’janë këtu! Mes nesh. Shën Jozefi ju bekoftë e ju shoqëroftë”.
E Papa i ëmbëlsisë, nuk i harroi edhe ata, që festën e babait mund ta kremtojnë vetëm me një lot në sy e një vështrim drejtuar kah qielli:
Shumë nga ju, që jeni këtu, në Shesh, nuk e kanë më babain. Mund të lutemi për të gjithë baballarët e botës, e ta bëjmë së bashku, duke kujtuar secili babanë e vet, të gjallë a të vdekur. E t’i lutemi Babait të të gjithëve: Atit tonë. Një ‘Atynë’ për etërit tanë; Atynë.... E, urime të përzemërta etërve!”.Në përfundim të përmbledhjes së katekizmit, Papa bekoi “pishtarin benediktin të paqes”, sjellë në Shesh nga një delegacion, kryesuar nga kryeipeshkvi i Spoleto- Norçias, imzot Renato Bokardo, nga administratori apostolik i Montekasinos, Dom Augusto Riçi e nga abati i Subiakos, Don Mauro Meaçi, duke uruar që nisma të jetë ndihmesë – theksoi - për atë paqe të zemrës, që vetëm Krishti mund ta japë. Papa përshëndeti, ndërmjet tjerëve, edhe anëtarët e Lëvizjes së Fokolarëve, mbledhur në një kuvëndim ndërfetar, si dhe shumë zyrtarë, ushtarakë e studentë, të pranishëm në Shesh që, në përfundim të takimit të së mërkurës, vërshuan në rrugët e rrugicat e Qytetit të Amshuar me fjalën e Papës në gojë. Për ta mbartur, pastaj me vete, edhe në vise të largëta, prej nga kishin ardhur shumë prej tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.