2014-03-17 14:37:23

Papa kremtoi meshën në kishën e Zojës së Uratës: për ta ushqyer fenë, të dëgjojmë Zotin


Detyra e parë e çdo të krishteri është ta ushqejë fenë e vet. Kështu tha Papa Françesku, dje pasdite, gjatë meshës së kremtuar në famullinë e Zojës së Uratës, në Setteville të Guidonia-s, duke rimarrë në dorë fillin e mendimeve të shprehura në lutjen e Engjëllit të Tënzot. E për ta bërë këtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, në vizitën e tij të pestë në një kishë të dioqezës së Romës, duhet të dëgjojmë Jezusin e t’i përgatisim sytë për të parë fytyrën e Tij. Në ditën e Ungjillit të Shndërrimit të Krishtit, Papa u kujtoi besimtarëve:
“Cilat janë detyrat e të krishterit? Ndoshta do të më thoni: të shkojë në meshë të dielave; të agjërojë e të mos hajë mish gjatë Javës së Madhe; të bëjë këtë e atë… Por detyra e parë e të krishterit është të dëgjojë Fjalën e Zotit, të dëgjojë Jezusin, sepse Ai na flet e na shëlbon me Fjalën e Tij. Është Ai, që e bën më të fortë, më të fuqishme fenë tonë, pikërisht me Fjalën e Tij. Të dëgjojmë Jezusin! ‘Po, more atë, unë e dëgjoj Jezusin, e dëgjoj shumë!” “Ah, po? E çfarë dëgjon?’ ‘Po ja, dëgjoj radion, dëgjoj televizionin, dëgjoj thashethemet e njerëzve…’. Sa gjëra dëgjojmë gjatë ditës, sa shumë gjëra… Por, ju bëj pyetjen: a ia kushtojmë pak kohë, çdo ditë, dëgjimit të Jezusit, dëgjimit të Fjalës së Jezusit?”
Kjo Fjalë, vazhdoi Papa, është ushqimi më i mirë për shpirtin. Si në Engjëllin e Tënzot, u tha besimtarëve të marrin me vete një Ungjill, sipas shembullit të shën Çeçilies e martirëve të parë. E më pas, Ati i Shenjtë porositi t'i ruajmë sytë për amshim:
“Unë jam i ftuar ta dëgjoj Jezusin e Jezusi na duket i Shndërruar e na fton ta shohim. Kjo na i pastron sytë e na i përgatit për jetën e amshuar, për të parë Qiellin. Ndoshta i kemi sytë pak të sëmurë, sepse shohim shumë gjëra, që s’janë të Jezusit, por kundër Tij: gjëra të kësaj bote, që nuk i bëjnë mirë shndritjes së shpirtit. E kështu, drita shuhet ngadalë e pa e kuptuar, përfundojmë në terrin e brendshëm, në errësirën shpirtërore, në heshtjen e fesë: errësirë, sepse nuk jemi mësuar t’i shohim, t’i imagjinojmë gjërat e Jezusit”.
Gjatë vizitës në kishën e Zojës së Uratës, Papa Françesku takoi gjashtë bashkësi neokatekumenale, të moshuar, të sëmurë e të rinj. Në fund, u kërkoi të gjithëve të luten për të, që të jetë ipeshkëv i mirë e të mos bëjë gabime.







All the contents on this site are copyrighted ©.