2014-03-17 14:37:37

Papa ipeshkvijve të Timorit Lindor: bota është plot me të “lënduar”, ngrohini zemrat me Ungjill


Jini “ndërgjegjja kritike e kombit”, shpallni Ungjillin e mëshirës dhe përpiquni, që kumti të jetë i kuptueshëm “në gjuhët vendore”. Tri janë pikat, që Papa Françesku u beson si angazhim ipeshkvijve të Timorit Lindor, të cilët i priti sot paradite në vizitën ad Limina.
Pesëqind vjet me Ungjillin janë një histori e gjatë feje dhe, në një kontinent si Azia, ku zakonisht Kisha përfaqëson bashkësi të vogla në numër, 97% e popullsisë së Timorit Lindor është e pagëzuar. Kjo tregon frytet e begata të farave të Ungjillit, mbjellë gjatë shekujve. Por, as ishulli i vogël, kufitar me Indonezinë, nuk ka mbetur pa u prekur nga ato, që Papa Françesku i quan “befasitë e dhimbshme”, të cilat, gjatë viteve të fundit, janë shfaqur dukshëm në shoqërinë ishullore. Procesi i ndërtimit të një kombi “të lirë, solidar dhe të drejtë për të gjithë”, që filloi në fund të viteve nëntëdhjetë, e ka nxitur disa herë Kishën vendore “të kujtojë –thotë Papa – bazat e domosdoshme të një shoqërie, që synon të jetë e denjë për njeriun dhe për thirrjen e tij të përtejme”.
Papa Françesku u drejtohet ipeshkvijve timorezë, “i sigurt” se, bashkë me meshtarët, do të vijojnë të kryejnë funksionin e “ndërgjegjes kritike të kombit, “duke ruajtur pavarësinë nga pushteti politik”, dhe duke ia lënë atij “përgjegjësinë për t’u marrë me të mirën e përbashkët të shoqërisë”.
Për sa i përket jetës së brendshme të Kishës, Papa bën thirrje për t’i “dyfishuar përpjekjet e ungjillëzimit”, dhe kujton se Ungjilli duhet shpallur me gjuhën e mëshirës. Pa mëshirën, thotë Papa, “e kemi të pamundur të hyjmë në një botë plot me ‘të lënduar’, që kanë nevojë për mirëkuptim, për falje, për dashuri”. Është realizimi praktik i “revolucionit të butësisë”, për të cilin flet edhe Evangelii gaudium. Por, kush ungjillëzon dhe si? Papa i përgjigjet kësaj pyetjeje, duke treguar udhën e “formimit solid” të meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve. Kjo nuk do të thotë se duhet pretenduar, që ungjillëzimin ta bëjnë “vetëm veprimtarët e specializuar”, sepse, “nëse dikush e ka përjetuar vërtet dashurinë e Hyjit, që shpëton, nuk ka nevojë për shumë kohë përgatitje për ta shpallur, nuk mund të presë që t’i jepen mësime të shumta, ose udhëzime të gjata. Çdo i krishterë është misionar në atë masë në të cilën ka njohur dashurinë e Hyjit në Krishtin Jezus”.
Pika tjetër themelore është ajo e nevojës “për të ungjillëzuar kulturat, me qëllim që të inkulturohet Ungjilli”. Nëse, në kontekstet e ndryshme kulturore të Timorit Lindor – pohon Papa – feja dhe ungjillëzimi nuk janë të afta të flasin për Hyjin, të shpallin fitoren e Krishtit mbi dramën e gjendjes njerëzore, t’i bëjnë vend Shpirtit përtëritës, kjo ndodh sepse [feja dhe Ungjilli] nuk janë mjaftë të gjallë në bashkësitë e krishtera, të cilat kanë nevojë të formohen e të piqen”. “E gjithë kjo sjell një sërë sfidash, për ta bërë më të lehtë kuptimin e Fjalës së Hyjit dhe më të dobishme marrjen e sakramenteve. Por sfida – thekson Papa – nuk është kërcënim.
Në fund Ati i Shenjtë u jep këtë porosi ipeshkvijve të Timorit Lindor: “Jini njerëz të aftë për të mbështetur, me dashuri e durim, hapat e Hyjit brenda popullit të tij dhe vlerësoni çfarë e mban atë të bashkuar, duke e ruajtur nga rreziqet e mundshme, por mbi të gjitha duke ia rritur shpresën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.