2014-03-17 14:36:42

Papa Françesku: mëshira është udha e paqes në botë


“Mëshiro, nëse kërkon mëshirë! Fal, në se kërkon falje! Kjo është udha, që sjell paqen në shpirtin tonë e në botë”. Është edhe porosia e Papës, gjatë homelisë së Meshës, kryesuar sot në Shtëpinë e Shën Martës.

“Të jeni të mëshirshëm, si është i mëshirshëm edhe Ati juaj”: Papa komentoi porosinë e Jezusit, duke pohuar menjëherë se nuk është aspak e lehtë të kuptohet një sjellje e tillë, plot me mëshirë. E kjo, sepse jemi mësuar të gjykojmë. Në shpirtin tonë ka pak e aspak vend për mirëkuptim e mëshirë. Për të qenë të mëshirshëm, vërejti Ati i Shenjtë, janë të nevojshme dy mënyra sjelljeje. Së pari, duhet ta njohësh mirë vetveten, ta pranosh se ke bërë shumë gjëra aspak të mira, se je mëkatar! E, përballë pendimit, drejtësia e Hyjit shndërrohet në mëshirë e në falje. Por është e nevojshme, më parë, të turpërohemi për mëkatet tona:
Vërtet asnjë nga ne nuk ka vrarë kënd, po as krejt pa gjë nuk është: i ka ca gjëra të vogla, ca mëkate të përditshme, që i bën ditë për ditë…. E kur ndokush mendon: ‘Bah, ç’zemër e vogël, kjo imja: bëra këtë kundër Zotit’, duhet edhe të turpërohet!’. Po, të turpërohet para Zotit e ta dijë se ky turp është hir: është hir të jesh mëkatar i penduar. Jam mëkatar, e turpërohem para teje, o Zot, e të lypi falje. Është fare e thjeshtë, e njëkohësisht tejet e vështirë të themi: ‘Mëkatova!”.
Shpesh vërejti Papa, e shfajsojmë veten, duke e shkarkuar mëkatin tonë mbi shpinën e të tjerëve. Siç bëjnë Adami e Eva. Ndoshta, kujtoi Françesku, tjetri më ndihmoi, ma shtroi rrugën që duhej bërë, por për ta bërë, e bëra vetë! Nëse ne e bëjmë këtë, sa gjëra të tjera të mira mund të bëjmë akoma, ngaqë jemi të përvuajtur! E me këtë sjellje pendestare jemi më të aftë edhe për të qenë të mëshirshëm, sepse e ndjejmë fort mbi ne mëshirën e Zotit, siç përsërisim në Atynë: “Na fal, si falim!”. Kështu, pra, në se nuk fal, edhe unë dal paksa jashtë loje.
Sjellja tjetër, për të qenë të mëshirshëm, pohoi më pas Papa, është ta zgjerosh zemrën. Gjë e madhe, zemërgjërësia! Sepse zemra e ngushtë, egoiste, është e paaftë për mëshirë:
Ta zgjerosh zemrën! ‘Po, unë jam mëkatar’. ‘Kam bërë këtë e atë... S’kam lënë gjë pa bërë. Kush jam unë, për të gjykuar?’ Kjo frazë. ‘Kush jam unë për të gjykuar këtë? Kush jam për ta marrë nëpër gojë këtë? Kush jam unë për…? Kush jam unë, që kam bërë të njëjtat gjëra e ndoshta edhe më të këqija?’. Zemërgjërësi! E thotë vetë Zoti: ‘Mos gjykoni, që të mos gjykoheni! Mos dënoni, që të mos dënoheni! Falni, e do të faleni! Jepni, e do t’ju jepet!’, Kjo quhet bujari zemre! E çfarë do t’ju jepet? Një masë e mirë, e plotë, e rrëmbushët, do t’ju derdhet në prehër. Është figura e njerëzve, që shkonin ta merrnin grurin me përparëse, e e hapnin sa mundnin përparësen, për të marrë sa më shumë. Nëse ti e ke zemrën të gjerë, të madhe, mund të marrësh shumë e më shumë!”.
Zemra e madhe, tha Papa Françesku, nuk dënon, por fal, nuk kujton, por harron, sepse dhe Zoti i harroi mëkatet e mia. Hyji m’i fali mëkatet. Ta zmadhojmë zemrën. Është e vogël, sa një grusht, por mund të bëhet aq e madhe, sa të zërë gjithë botën. E e askush të mos ndjehet atje ngusht. “Kjo është gjë e bukur – brohoriti Papa. Të jini plot me mëshirë!”:
“Burri e gruaja e mëshirshme e kanë zemrën të gjerë, të gjerë, sepse i falin gjithnjë të tjerët e mendojnë për mëkatet e veta. ‘Po, a s’ke sy në ballë për të parë ç’bën ai tjetri?’. Jo, nuk e shoh. Më mjafton ajo, që kam bërë vetë, e nuk dua të ngatërrohem edhe me punët e të tjerëve!’. Kjo është udha e mëshirës, në të cilën duhet të ecim. Por nëse të gjithë ne, nëse gjithë popujt, njerëzit, familjet, lagjet, do të silleshin kështu, sa paqe do të kishte në botë, sa paqe në zemrat tona! Sepse është pikërisht mëshira, ajo që na sjell paqen. Mos harroni: ‘Kush jam unë, për të gjykuar?’. Të turpërohemi e ta zgjerojmë zemrën. Zoti na e dhëntë këtë hir!”.











All the contents on this site are copyrighted ©.