2014-03-17 15:20:01

Nënshkruhet në Vatikan marrëveshja ndërfetare kundër skllavërive moderne


Çrrënjosja e skllavërisë moderne dhe tregtia e qenieve njerëzore në të gjithë botën brenda vitit 2020 është synimi i marrëveshjes revolucionare, që u bë e njohur sot në Vatikan. Kjo marrëveshje ndërmjet besimeve të ndryshme fetare, e para e llojit të vet, hap edhe Rrjetin Global të Lirisë (Global Freedom Network), që ka si ortak kryesor Fondacionin e Ecjes së Lirë (Walk Free Foundation). Memorandumi i mirëkuptimit dhe deklarata e përbashkët, që janë themeli i Rrjetit Global të Lirisë, mbajnë nënshkrimet e mëposhtme: në emër të Papës Françesku, Kancelari i Akademisë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, Imzot Marcelo Sanchez Sorondo; në emër të kryeimamit të Al Azharit, Egjipt, Dr. Mahmud Azab; në emër të kryeipeshkvit të Kantërbërit, përfaqësuesi i kreut të Kishës Anglikane pranë Selisë së Shenjtë, Sër David John Moxon; në emër të Fondacionit Ecja e lirë, vetë themeluesi, Andrew Forrest.
Deklarata e përbashkët, hartuar nga nënshkruesit e Rrjetit Global të Lirisë, nënvizon efektet shkatërruese të dhunës së skllavërisë moderne dhe të tregtisë së qenieve njerëzore dhe i fton Kishat e tjera të krishtera, si edhe besimet e tjera fetare të botës, të bashkohen me këtë nismë. Rrjeti Global i Lirisë është një shoqatë e hapur, prandaj në të ardhmen do të ftojë edhe udhëheqës të tjerë shpirtërorë.








All the contents on this site are copyrighted ©.