Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, Papa Josif Mihali
Papa Josif Mihali (Elbasan, 23.09.1912 - Maliq, 26.10.1948), prift katolik
i ritit bizantin, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në
baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.
I varrosur për së gjalli
Meshtar
katolik i ritit bizantin, Papà Josif Mihali është në listën e 40 martirëve, për udhë
kah nderimet e elterit. Jetë kushtuar Zotit që në moshë të njomë, kur Arkimandriti
Pietro Scarpelli, misionar i ardhur nga Heparkia e Lungros, në Elbasan, e zgjodhi
për ta dërguar në Seminarin Benedikti XV, pranë Abacisë së Grotta Ferratës. Që aty,
vijoi rrugën e përgatitjes për meshtari në Kolegjin Papnor të Shën Athanasit, në Romë,
ku përfundoi mësimet e filozofisë e të teologjisë. Më 1 dhjetor 1935 çoi Meshën e
parë në Kishën e Shën Athanasit, në Romë. Pikërisht në atë Kishë, ku arbëreshë e shqiptarë
vijojnë të mblidhen ditëve të diela, për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore në atë gjuhë,
me të cilën e ndiqnin bashkëluftëtarët e Skënderbeut, para e pas betejave fitimtare
kundër osmanllinjve. Në Kisha, që pastaj u rrafshuan, për t’u rindërtuar përsëri e
përsëri... Më 1936 ishte në Elbasan. Bari i Kishës së Shën Pjetrit. Mbeti në kujtesë
të besimtarëve si njeri, që dinte t’i drejtonte shpirtrat kah Zoti e me Zotin t’i
zgjidhte edhe problemet më të mprehta të grigjës së vet të vogël. Në vitin 1945,
36 vjeç, ishte në pranga, si meshtar katolik. Nga elteri, në Kënetën e Maliqit. Nga
Kisha, në baltra, ag e muzg, zheg e cegëm. Në shoqëri të mushkonjave, zhabave, shushunjave,
gjarpërinjve. Gjysëm i vdekur nga lodhja e nga uria. Në luftë të përditshme me baltën
e zvarranikët e kënetës, derisa i shteruan fare forcat. Atëhere ra. E nisi të fundosej
ngadalë në llucë. Të varrosej për së gjalli. Shokët e mjerimit, të llaftarisur nga
kjo pamje, nuk guxonin t’ia zgjasnin dorën, të paralajmëruar se dora, që do të shtrihej
atë ças, edhe do të pritej. Fundosej. I ndjekur nga dhjetra sy. Sy të mbushur me tmerr
e me lot, e sy të mbushur me mllef. Sy rojesh të armatosura deri në dhëmbë, që i jepnin
shkelmin e fundit. U zhdukën dalëngadalë në baltë trupi, që pati meshuar në elter;
goja, që pati predikuar fjalën e Zotit, sytë, që patën ngushëlluar të mjeruarit, kur
fjala e lirë ishte në pranga. E mbeti aty, në baltë, si monument i Kishës Katolike,
që gjithashtu u detyrua të hynte nën dhe, në katakombe. “Kokrra e grurit zhdukej
në baltë, vdiste, për të dhënë shumë fryt…” (Sipas Gjn 12,24) .