2014-03-16 15:55:08

Papa në Engjëllin e Tënzot: dëgjojeni Jezusin, kumtojeni Fjalën e tij e mbajeni gjithnjë me vete Ungjillin


Duke kujtuar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, se Ungjilli i sotëm paraqet shndërrimin e Jezusit mbi malin Tabor, Papa Françesku i nxiti besimtarët ta vijojnë, me fe e bujari, udhën e Kreshmëve, duke e dëgjuar e duke e ndjekur Fjalën e Jezusit. Ta dëgjojnë Krishtin, duke mësuar, pak më shumë, të ‘ngjiten’ me lutje e ‘të zbresin’ me dashuri vëllazërore, për t’i ndarë bashkë me popullin e Zotit, thesaret e hirit, që marrim në të përpjeta e në tatëpjeta.

Episodi ungjillor i shndërrimit të Zotit, na kujton se Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një vend të vetmuar, mbi një mal të lartë. Mali, shpjegoi Papa, simbolizon vendin e afërsisë me Zotin, vendin e lutjes, ku rrihet në prani të Zotit. Atje lart, mbi mal, Jezusi iu duk tre dishepujve i shndërruar, i veshur me dritë, e pas tij, u dukën edhe Moisiu e Elia, që nisën të bisdojnë me Të. Fytyra e Jezusit rrezatonte një dritë aq të fortë, sa Pjetrit iu lëbyrën sytë. E ashtu, gjysëm i verbuar, ai e dy të tjerët, dëgjuan zërin e Atit, që e shpallte Jezusin Birin e vet të dashur, duke shtuar edhe: “Dëgjojeni!”:
Është shumë e rëndësishme kjo ftesë e Atit: Ne, dishepujt e Jezusit, jemi të thirrur për të qenë njerëz, që e dëgjojnë zërin e Tij dhe i marrin seriozisht fjalët e Tij. Për ta dëgjuar Jezusin, duhet të jesh pranë Tij, ta ndjekësh, siç bënin turmat e Ungjillit, që i ngarendnin pas nëpër rrugët e Palestinës. Jezusi nuk kishte ndonjë katedër, e as ndonjë amvonë të caktuar. Ishte mësues endacak, që i propozonte mësimet e veta, mësime të dhëna nga Ati, gjatë udhës, duke ecur gjithnjë në shtigje të paparashikuara e, nganjëherë, edhe të thikta”.
Duhet ta ndjekim Jezusin, nënvizoi Papa, për ta dëgjuar, përmes Fjalës së Tij, të shkruar në Ungjill. Më pas, një pyetje, drejtuar secilit nga ne:
“Po ju, a e lexoni Ungjillin? Është gjë e mirë; gjë e mirë të kesh një Ungjill të vogël, gjithnjë me vete, në xhep, në çantë, të lexosh një copëz sado të shkurtër në çdo çast të ditës. Aty është Jezusi, që na flet, në Ungjill! Mendojeni këtë! Nuk është e vështirë, e as e nevojshme që të jenë të katër Ungjijtë: mjafton njëri, krejt i vogël, gjithnjë me ne. Ta kemi gjithnjë me vete Ungjillin, sepse është fjala e Jezusit ajo, që mund ta dëgjojmë”.
Ati i Shenjtë kujtoi, më pas, dy elemente domethënëse, nga episodi i Shndërrimit: ngjitjen e zbritjen:
“Ne kemi nevojë të rrijmë në vetmi, të ngjitemi në mal, në një hapësirë heshtjeje, për të gjetur vetveten e për ta dëgjuar më mirë zërin e Zotit. Nuk mund të rrijmë atje, takimi me Zotin në lutje na shtyn përsëri të zbresim nga mali, të rikthehemi poshtë, në fushë, ku takojmë gjithë vëllezërit, të lodhur e të këputur nga mundimi i përditshëm, nga sëmundjet, padrejtësitë, padija, varfëria materiale e shpirtërore”.
Pikërisht këtyre vëllezërve tanë, që kalojnë çaste të vështira, shpjegoi Papa, jemi të thirrur t’ua çojmë frytet e përvojës, të bërë me Zotin, duke i ndarë me ta, thesaret e hirit, që morëm dhe Fjalën e Zotit, që dëgjuam:

Kur dëgjojmë Fjalën e Jezusit, kur ia vëmë mirë veshin dhe e kemi në zemër, kjo Fjalë rritet. E, a e dini si rritet? Duke ia dhënë tjetrit! Fjala e Krishtit në ne rritet, kur e kumtojmë, kur ua japim të tjerëve! E kjo është jeta e krishterë. Është mision për mbarë Kishën, për tërë të pagëzuarit, për të gjithë ne: ta dëgjojmë Jezusin e t’ua japim të tjerëve. Mos harroni: këtë javë, dëgjojeni Jezusin! E mendoni fjalët e Ungjillit: do ta bëni? Do ta bëni këtë? Pastaj, të dielën e ardhshme do të më tregoni nëse e keni bërë vërtet, në se e keni Ungjillin e vogël në xhep a në çantë, për ta lexuar një copëz sado të vogël gjatë gjithë ditës”.Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku i përshëndeti besimtarët e shtegtarët, duke u kërkuar t’i kujtojnë në lutje, udhëtarët dhe ekuipazhin e avionit të zhdukur nga Malajzia si dhe familjarët e tyre. Papa njoftoi edhe se të premten e ardhshme Bashkësia Papa Gjoni XXIII, themeluar nga don Oreste Benzi, do t’i prijë nëpër rrugët e qendrës së Romës, një “Udhe Kryqi” krejt të veçantë, kushtuar grave, viktima të tregjeve të turpit.







All the contents on this site are copyrighted ©.