2014-03-15 11:19:57

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Kisha është e shenjtë,
sepse kështu është Krishti”


Kisha është e shenjtë jo pse anëtarët e saj janë pa mëkat, por pse është shenjt kreu i saj, Krishti. Këtë të vërtetë na e shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike, në faqet kushtuar Besojmës, Jezuziti atë Dariush Kovalçik përqëndrohet mbi këtë temë në reflektimin e 35-të të ciklit për 20-vjetorin e botimit të tekstit të Katekzimit.

Besojmë se Kisha është shenjte. Por ka edhe nga ata, që thonë: “Po si qenka shenjte, kur në Kishë ka shumë mëkatarë, e madje edhe priftërinjtë nuk sillen gjithnjë mirë”. Pa dyshim shenjtëri e Kishës nuk do të thotë se të gjithë anëtarët e saj janë pa mëkat. Përkundrazi, vetë Krishti pohon; “Nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët” (Mt 9,13).

Kisha është shenjte, para së gjithash, sepse Kreu i saj, Jezu Krishti, është i Shenjtë. Pastaj në Kishë është tërësia e mjeteve të shëlbimit, domethënë e mjeteve për shenjtërimin e njeriut. Në Kishë kemi Eukaristinë Shenjte dhe sakramentet e tjera. E kemi edhe Fjalën e Zotit, domethënë, Shkrimin Shenjt.

Në Kishë janë, pastaj, shenjtorët e të lumët. Në ta Kisha njeh - siç lexojmë në Katekizëm – “Pushtetin e Shpirtit të shenjtërisë [...] e mbështet shpresën e besimtarëve, duke ua paraqitur shenjtorët si modele e ndërmjetës”. Duhet nënvizuar se shenjtëria e njeriut është gjithnjë dhuratë e Zotit, pjesëmarrje në shenjtërinë e Zotit.

Katekizmi thotë se, ndërsa Krishti nuk njohu mëkat, Kisha, që është e shenjtë, e njëherësh nevojtare për pastrim, i shtrohet papushim pendesës e përtëritjes” (n. 827). E ndokush vëren: “I jam mirënjohës Zotit, që në Kishë ka mëkatarë, sepse kjo do të thotë që aty ka vend edhe për mua”.

Por ka edhe më! Jezusi vdiq e u ngjall për ne, që njeriu të mos mbetet i ngarkuar me mëkat, por të jetë shenjt e i panjollë para fytyrës së Krishtit në dashuri (cfr Ef 1,4). Thirrja e fundit e njeriut është të jetë i shenjtë, ashtu si Zoti është shenjt (cfr Mt 5,48).
Kisha është shenjte që në zanafillë, ndërsa në anëtarët e saj shenjtëria e përkryer duhet arritur akoma (KKK,825). Urojmë që kjo udhë e Kishës të përkryhet në fund të kohëve, kur Hyji do të jetë gjithçka, ndër të gjithë” (cfr 1Kor, 15,28).







All the contents on this site are copyrighted ©.