2014-03-14 17:19:25

Papa Françesku rikthehet në Vatikan, pas ushtrimeve shpirtërore, predikuar nga imzot De Donatis


Papa Françesku u rikthye sot, rreth orës 11.30, në Vatikan me autobus, ashtu siç kishte shkuar, e me bashkëpunëtorët e Kuries, pasi përfundoi, paradite, ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, seli e rregulltarëve paolinë të Ariccia-s. Papa e falënderoi nga zemra imzot Anxhelo De Donatis për aftësinë, theksoi, me të cilën e mbolli farën e mirë të Fjalës së Zotit.

Ishte ora 10.00, kur në kapelën e shtëpisë së Paolinëve, në Ariccia, zëri i imzot De Donatis, që për gjashtë ditë i priu në shtegtim shpirtëror një grupi tejet të veçantë, të ulur para tij, hesht, për t’ia lënë fjalën Papës Françesku. E fjalët e Atit të Shenjtë, janë ato të njeriut të prekur sinqerisht nga përvoja e jetuar:
“Don Anxhelo, dëshiroj t’ju falënderoj në emër tim e të të gjithëve, për ndihmën që na dhatë këto ditë, për shoqërimin, për dëgjimin e fjalës suaj… Ne tani po kthehemi në shtëpi, duke marrë me vete farën e mirë: farën e Fjalës së Hyjit. Është tejet e mirë, kjo farë. Zoti do të çojë shiun e fara do të mbijë e do të rritet. Do të rritet e do të japë fryt. Ta falënderojmë Zotin për farën e për reshjet, që do të çojë, por duam ta falënderojmë edhe bujkun”.
Dy “farët e fundit”, hedhur dje pasdite e sot paradite nga imzot De Donatis, kishin pamjen e Pjetrit e të Marisë së Magdalës, të paraqitur në çaste të veçanta, në të cilat jeta kalon nga një përmasë, në tjetrën. Nga jeta e Apostullit, imzot De Donatis, zgjodhi çastin, kur mohon Jezusin. Ndërsa Mjeshtri gjykohet, në plan të parë, nga sinedri, poshtë, në oborr, luhet skena e gjykimit të Pjetrit. Të trishton fort mendimi, theksoi predikatari, që në këto çaste Pjetri nuk është ndërmjet miqve të Jezusit, por ndërmjet shërbëtorëve. E edhe më e dhimbshme, ta shikosh ndërsa, para shërbëtorëve, mohon, së pari, se e njeh Jezusin, pastaj, se bën pjesë në rrethin e dishepujve të tij, e pastaj akoma, arrin deri atje, sa të mohojë se është galileas. Të mohosh tri herë, shpjegoi imzot De Donatis, do të thotë të mohosh Hyjin, Kishën e vetveten. Gjeli, që këndon, është honi i turpit, por pikërisht në këtë çast sytë e Pjetrit ndeshen me sytë e Jezusit. E në sytë e Zotit Pjetri shikon honin e faljes, pa asnjë kufi, pikërisht sepse e pamerituar e, prej këndej, që nuk pret kurrfarë shpërblimi. Kjo është përvoja më e vërtetë e fesë: kur i krishteri kalon nga premtimet solemne e ndjetet e mira, ndoshta paksa moralistike, në përpjekjen për të bërë mirë, në emër të Jezusit – nga ideja e Kishës si supermarket vlerash morale, në përvojën personale të mëshirës. Kjo e bën të ndjehet i rilindur. E pas kësaj skene bie poshtë pretendimi për ta dashur të parët Jezusin e kuptohet se Zoti është gjithnjë i pari, që na e dhuron dashurinë. E ajo, që ka rëndësi për të krishterin, është t’i përgjigjet kësaj dashurie, e cila nuk shikon çfarë bëjmë, por na kërkon të bëhemi të ngjashëm me Jezusin.
Në meditimin përfundimtar të paradites së sotme, imzot De Donatis, u ndalua tek skena e Magdalenës, në çastin kur, para varrit të zbrazët, qan, sepse nuk e gjen aty Jezusin. Mënyra si vepron Maria nga Magdala, tregon se ajo nuk e njeh Jezusin, derisa e thërret ai vetë. Jezusi, shpjegoi imzot De Donatis, e çon gradualisht tek feja, sepse Shpirti Shenjt është mjeshtër i pjekurisë së ngadalshme. E zëri është shenja e thirrjes, e një thirrjeje që, siç pohon Ungjilli, e bën Maria Magdalenën ta ndjejë menjëherë nevojën për të kumtuar, për ta ndarë lajmin e mirë me të gjithë. Sa i bukur, përfundoi imzot De Donatis, është ungjillëzimi, që buron nga nevoja e papërballueshme për të kumtuar, që të tërheq, që është ngjitës. Ishte kjo, “fara e fundit” e hedhur, pas së cilës, falënderimi i Papës për dijen e farëhedhësit:
“Sepse ju ishit farëhedhës i mirë, që di si hidhet fara, e di mirë. Hedh andej e hedh këndej, duke bërë sikur nuk e vëren ku shkon fara, por në të vërtetë i bie në të. Faleminderit, prandaj. E ju kërkoj të luteni përsëri për këtë ‘sindikatë besimtarësh’. Të gjithë jemi mëkatarë, por të gjithë duam ta ndjekim Jezusin nga afër, pa e humbur shpresën në premtimin, pa e humbur as humorizmin e duke e përshëndetur nganjëherë njëri-tjetrin nga larg. Faleminderit, atë!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.