2014-03-14 16:21:01

Në librari, tekste të pabotuara të kardinalit Bergolio, Papës aktual


Të edukosh është akt shprese: do të thotë që edukatorë e të rinj, vihen për udhë drejt së bukurës, së mirës e së vërtetës. Ky është filli logjik, që lidh disa fjalime të pabotuara të Papës Françesku, në kohën kur ishte kardinal, kryeipeshkëv i Buenos Airesit, në Argjentinë. Fjalimet janë mbajtur nga viti 2008 deri në vitin 2011. Tani, janë mbledhur në një libër me titull “Bukuria do ta edukojë botën”, botuar nga EMI.
Edukimi, thotë Papa, është një nga artet më apasionuese të ekzistencës. Duhen kapërcyer keqkuptimet, duhen matur forcat përballë impenjimit që kërkon kjo punë. Prandaj, kemi nevojë për balsamin e shpresës, që të ecim përpara. Ecja dhe shpresa, në realitet, mund të bëhen sinonime. Të ecim, shpjegon Bergolio, do të thotë të hyjmë në shpresën e gjallë, që na nxit të shkojmë edhe më përpara, na ndihmon të kuptojmë shqetësimet e njeriut. Sistemet e sotme, denoncon Papa aktual, përpiqen ta qetësojnë njeriun, ta anestetizojnë dëshirën për t’u vënë për udhë. Por kështu, njeriu nuk arrin të dëgjojë thellësitë e zemrës së vet.
Siguritë absolute, shkruan kardinali i dikurshëm i Buenos Airesit, janë strehë për ata, që kanë frikë, prodhojnë fondamentalistë, sepse këta njerëz kanë frikë të vihen për udhë për të kërkuar të vërtetën. Që udha të sjellë fryte, duhet orientuar kah e vërteta, e cila nuk zotërohet, por takohet. Shoqërohet gjithnjë nga mirësia e nga bukuria e nuk duhet ngatërruar me përpjekjet për t’i ditur gjërat. Prandaj, edukimi për të kërkuar të vërtetën ka nevojë për harmonizimin e përmbajtjes me zakonet e me vlerësimet. Ka nevojë për dëshminë e edukatorit, i cili duhet të shndërrohet në “ikonë të gjallë” të së vërtetës, që dëshiron t’ua mësojë të tjerëve.
Edukimi, vazhdon Bergolio, është në vetvete një akt shprese, jo vetëm sepse shërben për t’i mësuar njerëzit si të ndërtojnë të ardhmen, por sepse akti i edukimit është plot me shpresë. Me këtë shpresë, çdo ditë, mësuesit “shpërndajnë bukën e së vërtetës”. Mësuesi katolik, vë në dukje dallimin me të tjerët Papa aktual, i udhëheq të rinjtë drejt dritës, në një botë ku tregtarët e errësirës propozojnë lumturi me çmim të ulët. Të edukosh kështu, pra, t’u mësosh shpresën, do të thotë t’u hapësh të rinjve horizonte të reja. Kujtimi i së kaluarës, shoshitja e së tashmes dhe udha për të realizuar ëndërrat janë shtyllat e edukimit të shpresës. Duhet t’i mësojmë, thekson Bergolio, të jetojnë për vete e për shoqërinë, duke u treguar se është më mirë të jemi zemërbutë e jo agresivë, se ta dëgjosh tjetrin është më mirë se ta sulmosh atë me fjalë. Vetëm atëherë, përfundon Papa aktual Françesku, do të mbjellim jetën në zemrat e njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.