2014-03-14 16:38:29

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Dom Ejëll Deda


Dom Ejëll Deda(Shkodër, 22.02. 1917- Shkodër, 12. 05. 1948) famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.


Anmiku i popullit, që nuk pat kurrë asnjë anmik
(Dom Ejëll Deda, parë nga atë Zef Pllumi)

Kur ishem fëmi, e pat pru Dom Alfons Tracki në Pulaj. Ishte ma i madhi ndër ne. Kishte krye edhe shkollën fillore e, si ma i afti e ma i pjekuni, kryente funksionet e kujdestarit: ai ishte qytetar, e na të tjerët, të gjithë malsorë. Në vjetën 1831 Dom Alfonsi na pveti ku dojshim me shkue: ndër freten apo ndër priftën. Ky kërkoi për prift. Por Dom Alfonsi e dergoi në Kolegjën Françeskane. Mbas ndonji vjeti bani noviciatin në Troshan me emnin Fra Anselm. Muer edhe profesionin e thjeshtë tre vjeçar. Por gjatë kësaj kohe kërkoi të kalonte në Seminarin Papnuer.
Ishte djalosh tepër i mirë. I buzëqeshun. Me humor të hollë, të kandshëm. Me jetë shpirtnore të formueme. Kështu ishte, kur kaloi prej klerikatit françeskan, e u përfshi në Djoqezin e Shkodrës. Prej seminari, u dërgue në Kolegjin Urban të Romës. Kur ktheu në Shqipni, e emnuen famullitar në Bushat. Si me e pasë shenjue Zoti për atë vend. Bushati, 15 km larg Shkodrës, asht fshati ma i randësishëm, me aktivitet të gjithanshëm. Banorët e Bushatit janë kandidatët e parë për qytetarinë shkodrane. Me karakterin e tij gazmor e miqsor, dom Ejëlli u ba menjëherë boshti i gjithë jetës së atij fshati, ku kishte katolikë e myslimanë. U ba vëlla i vërtetë i të mirëve e i të këqijve, i të pasunve e i të vorfënve. Nuk pat në jetë kurrnjë keqdashës. Asnji anmik. Vetëm për ketë e mbyllën në burg: për shkak të popullaritetit të tij. Njeriu që nuk kishte asnjë anmik, ishte tepër i rrezikshëm për pushtetin, prandej duhej zhdukë. Kur e shtinë në burg Dom Ejëllin, dyerve të Sigurimit të Shetit, që njerëzit u rrijshin larg, si gërbulës, iu prish fare qetësia. U sulmuen prej katundarëve, që pritshin në radhë ngarkue me ushqime për Priftin e tyne. Nganjëherë vijshin deri 30 familje në ditë. E dënuen 10 vjet burg, në një gjyq me me dyer të mbylluna. Pa e kalue nëpër torturat e zakonshme. E e mbyllen në odën n. 5, që deri atëherë ishte përdorë si depo. Dom Ejëllin e kishim përgjegjës dhome. Aty kah gjysa e shkurtit filloi me ndie dhimbje dhambadhe. Me që dhimbjet nuk i pushuen ditë me radhë, kërkoi dentistin. Ia prunë vetëm mbas dy-tri javësh, që ai i kaloi tue bërtitë ditë-natë prej dhimbjesh. Kur ia hoqi dhamballën, i shpërthei shumë gjak e nuk iu ndal. E dërguen në spital! Na nuk e pamë ma kurr.1

1
At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue”, pj. I, Tiranë, 1995, fq 214









All the contents on this site are copyrighted ©.