2014-03-11 13:56:20

Siri: ipeshkvijtë mblidhen në truallin libanez


Asambleja e ipeshkvijve katolikë të Sirisë mblidhet nesër në Fabueh, në Liban, në selinë e Patriarkatit greko-melkit. Lajmin e dha kryeipeshkvi armen katolik i Halebit, (Boutros Marayati) Butros Marajati. Sipas agjencisë Fides, mbledhja e ipeshkvijve, nën kryesinë e patriarkut greko-melkit Gregorios III Laham, do të shqyrtojë veçanërisht nismat e ndërmarra nga Karitasi, për t’u ardhur në ndihmë tragjedive të shumta, që rëndojnë mbi popullsinë siriane, në këtë vend të shkretuar nga konflikti i armatosur.
Ipeshkvi kaldeas i Halebit, Antoine Audo (Antuan Odo’), i cili është dhe kryetari i Karitasit Sirian, do të bëjë edhe një paraqitje të veprimtarive në zhvillim dhe të atyre në program. “Në këtë asamble – shpjegon për Fides Marayati – janë ftuar të gjithë ipeshkvijtë e të gjitha Kishave katolike të riteve të ndryshme, që gjenden në Siri. Në letër duhet të jemi rreth njëzet vetë, por nuk e dimë ende sa do të mund të dalin nga Siria, për të ardhur në Raboueh (Rabueh)”.
Mbledhja mbahet tri ditë pas lirimit të motrave greko-ortodokse të Maalaulës, ngjarje që e gëzoi pa masë tërë bashkësinë e krishterë të Lindjes së Mesme. “Tani – thekson kryeipeshkvi Marayati – urojmë që kanalet e përdorura për lirimin e motrave të Maalulës të vlejnë për të zgjidhur edhe rastin e ipeshkvijve, meshtarëve dhe rregulltarëve të rrëmbyer në Siri gjatë konfliktit”. Në marrëveshjet për lirimin e motrave kanë luajtur një rol të rëndësishëm shërbimet e sigurisë libaneze. Përveç ipeshkvijve metropolitë të Halebit Bouloz al-Yazigi (Bulos al-Jazigi) dhe Mar Gregorios Yohanna Ibrahim (srio-ortodoksë), ndër të rrëmbyerit në Siri janë edhe jezuiti Paolo Dall’Oglio, meshtari armeno-katolik Michel Kayyal dhe meshtari greko-ortodoks Maher Mahfouz.








All the contents on this site are copyrighted ©.