2014-03-11 13:53:53

Papa, në Korenë e Jugut nga 14 deri më 18 gusht, do të lumnojë një grup martirësh të ‘800-ës


Duke pranuar ftesën e Presidentit të Republikës dhe të Ipeshkvijve koreanë, Shenjtëria e Tij Françesku do të bëjë shtegtimin e tretë apostolik në Republikën e Koresë, nga 14 deri më 18 gusht 2014. Rasti është Dita VI e Rinisë Aziatike, që do të kremtohet në dioqezën Daejeon. Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi saktëson, për mediat, se Papa do të kryesojë edhe kremtimin e Lumnimit të një grupi martirësh koreanë.

“Në Azi duhet shkuar. Sepse Papa Benedikti XVI nuk pati kohë ta bëjë këtë, e është tejet e rëndësishme”. Jemi më 28 gushtin e vitit të kaluar, në Ditën Botërore braziliane të Rinisë, që sapo ka përfunduar. Papa bisedon ëmbël, sipas traditës, me gazetarët, nësa lë pas kontinentin amerikan, për t’iu afruar atij evropian. Për një çast shikimi i tij shkon shumë përtej, në lindje. Në fjalët e Françeskut ndjehet zelli i zjarrtë i bariut, që ëshë mësuar ta ketë si qendër të misionit të tij, çdo skaj e skutë të botës. Sepse qendra, për Papën, është periferia. E nësa mendon për të, kujton vizionin e Gjon Palit II, 15 vjet më parë, në prag të Jubileut. Papa Vojtila pohon qartë në Nxitjen Apostolike “Ecclesia in Asia”: “Ashtu si në mijëvjeçarin e parë, kryqi u mboll në trojet evropiane, në të dytin, në ato amerikane e afrikane, në mijëvjeçarin e tretë shpresojmë të kemi të korra të begata feje në këtë Kontinent të pakufishëm e plot gjallëri.”
Papa, që pas një muaji e gjysëm do të shpallet shenjt, fliste për një përvojë, që e kishte jetuar dy herë, në maj 1984 e në tetor 1989, duke shkelur në pjesën jugore të gadishullit të ndarë nga paraleli i 38-të e, sidomos, nga lufta vëllavrasëse.
Papa Françesku përgatitet të ecë në gjurmët e tij, 25 vjet më pas, me një mendim të mirëpërcaktuar në zemër, shprehur më 13 janarin e kaluar në audiencën me Trupin Diplomatik, akredituar në Vatikan:
“Me rastin e 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Koresë, dëshiroj ta lus Zotin për dhuratën e pajtimit në gadishull, duke uruar që, për të mirën e të gjithë popullit korean, palët e interesuara të mos lodhen duke kërkuar pikat e takimit e rrugëzgjidhjet e mundshme. Azia ka një histori të gjatë bashkëjetese paqësore ndërmjet grupeve të ndryshme civile, etnike e fetare”.
Një shtegtim, pra, për të folur për paqen në një tokë, që jeton në kushtet e luftës së ftohtë, që prej 50 vjetësh; e për të përqafuar të rinjtë, protagonistë të asaj, që mund të shikohet si një DBR aziatike. Por në zemër të Papës Françesku është e do të jetë, sidomos, fati i Kishës së vogël lokale, pakicë që, herë pas here, kronikat e përshkruajnë plot gjallëri, gjithnjë të mbështetur mbi shpatullat e viganëve, që e themeluan me çmimin e gjakut të tyre. Prej këndej, Ati i Shenjtë, gjatë vizitës, do të lartojë në nderimet e elterit Shërbëtorin e Hyjit, Pal Yun Ji-chung, laik, dhe 123 shokët e tij, të mbytur nga urrejtja për fenë, ndërmjet viteve 1791 e 1888, për të cilët ai vetë e ka nënshkruar tashmë dekretin e Lumnimit.
Nga Seuli, kryeipeshkvi Andre Yeom Soo-jung e falënderoi menjëherë, përmes një mesazhi, Papën Françesku, sepse me këtë shtegtim, kujtohet për rininë aziatike e për besimtarët koreanë, duke i vënë në qendër të vëmendjes. E falënderimin e shprehu edhe nga elteri, duke kremtuar një Meshë për shtegtimin e Papës Françesku, “që e do me zemër Korenë”, siç u shpreh kryeipeshkvi, e shtoi: “Shpresoj se kjo vizitë do të jetë rast i përshtatshëm, që njerëzit e varfër e të shtypur të rigjejnë shpresat e humbura. E sidomos lutem që vizita e Papës Françesku të sjellë pajtim e paqe në gadishullin korean”.







All the contents on this site are copyrighted ©.