2014-03-10 15:26:12

Siria: lirohen motrat e Maalulës. “Nkv”: Pakicat e krishtera rrezikohen më shumë nga rrëmbimet


Më në fund, motrat e zhdukura tre muaj më parë nga kuvendi ortodoks i Maalulës, në veri-perëndim të Damaskut, janë të lira. Rregulltaret ndodhen në Liban, gati për t’u rikthyer në Siri. Lajmi u prit me gëzim të madh nga e gjithë bashkësia e krishterë, që e ndoqi me shqetësim të thellë fatin e tyre. Edhe Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme të 4 dhjetorit të kaluar, pati kërkuar lirimin e tyre.

Arritën dje pasdite në Liban, 13 murgeshat libaneze, rrëmbyer në fillim të dhjetorit në kuvendin e tyre të Shën Teklës, në Maaloula të Sirisë, së bashku me tri kameriere. Për t’i pritur kishte dalë një karvan me makina, ardhur në Arsal, zonë libaneze, në luginën e Bekës, ku u liruan rregulltaret. Si shkëmbim, regjimi i Bashar al-Asadit do të lirojë 153 aktiviste antiqeveritare të mbyllura në burgjet siriane. Rregulltaret qenë fshehur në malet e zonës së Kalamunit, nga “Jabhat al-Nusra”, një nga grupet kryesore islamiste, që luftojnë në Siri kundër regjimit të Damaskut. Motrat, ndonëse të rrëmbyera, gjithnjë në lidhje me përfaqësuesit e Kishës ortodokese siriane vijojnë të konfirmojnë variantin, sipas të cilit “Jabhat al- Nusra” i rrëmbeu me synimin për t’i ruajtur. Me sa duket, lirimi i tyre u arrit pas bisdimeve të policisë libaneze, më pranë regjimit sirian me Katarin, një nga mbrojtësit e financuesit e “Jabhat al- Nusra”.

Për këtë lirim të shumëpritur, të dëgjojmë komentin e Marta Petrosillo, zëdhënëse e Lëvizjes “Ndihmë për Kishën që Vuan”:

Përgjigje: - Është vërtet lajm i mrekullueshëm! Muajin e kaluar u tha se ata, që po i kërkonin, kishin humbur çdo gjurmë të 13 motrave të rrëmbyera. Pastaj, pak orë para se të jepej lajmi zyrtar, një tweet i al Arabia lajmëroi se ishin të lira. Është lajm të cilin ne, të Ndihmë për Kishën që Vuan, e pritëm me gëzim të madh. Me shpresë se do të zgjidhen edhe çështje të tjera, që i kemi shumë për zemër në Siri. Posaçërisht, ajo e atë Dall’Oglio-s dhe dy ipeshkvijve të Halebit, rrëmbyer në prill të vitit të kaluar.

Pyetje: - Rrëmbimi, fenomen shoqërues i luftës civile në Siri, na duket realitet tejet i rëndë, që hap plagë të reja…

Përgjigje: - Absolutisht! Është realitet tejet i rëndë e pak i njohur, sepse rastet janë të panumërta e godasin posaçërisht pakicën e krishterë që, duke qenë më e ligshtë, është edhe më e pambrojtur për të përballuar situata të tilla.

Pyetje: - Kjo ngjarje flet edhe për impenjimin e Kishës, të rregulltarëve, rrregulltareve e laikëve në Siri, që nuk e braktisën vendin e misionit, duke pësuar, mbi lëkurën e tyre, pasojat e këtij qëndrimi…

Përgjigje: - Sigurisht! Pati shumë thirrje, shumë impenjim nga ana e mbarë Kishës, posaçërisht nga ana e Patriarkës Bechara Raï, nuncit imzot Zenari… Është e vërtetë: Kisha në Siri për të krishterët, por edhe për jo të krishterët, është pikë e fortë mbështetjeje. Kemi një numër shumë të madh dëshmish, nga qytete të ndryshme të Sirisë, që tregojnë se pa Kishën, besimtarët e krishterët do të ndjeheshin të humbur. E dëshmohet edhe se nuk janë vetëm të krishterët, që përfitojnë nga prania e Kishës, nga ndihma e Kishës. Kemi shumë realitete katolike, si Karitasi, Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët, që e ndihmojnë gjithë popullsinë: më se 80% e rasteve të të asistuarve nuk janë të krishterë.









All the contents on this site are copyrighted ©.