2014-03-10 19:27:23

Sinodi për familjen: kardinali Kasper shpjegon propozimet


Doli në botimin italisht vëllimi i kardinalit Walter Kasper: “Ungjilli i familjes”. RealAudioMP3 Libri përmban tekstin e plotë të relacionit hyrës, mbajtur nga ish kryetari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve në Koncistorin e jashtëzakonshëm për familjen. Ndër temat më të nxehta, çështja e pranimit të të divorcuarve të rimartuar në Kungim. Radio Vatikani foli me ke vetë Kardinalin Kasper:
“Ungjilli i Familjes” do të thotë se Hyji e do familjen dhe se familjen e ka themeluar Hyji qysh nga fillimi i krijimit: është institucioni më i lashtë i njerëzimit. Jezu Krishti e bëri mrekullinë e parë gjatë dasmës në Kanë: ai e ka vlerësuar familjen dhe e ka lartësuar në Sakrament, dhe kjo do të thotë se dashuria ndërmjet burrit dhe gruas është e integruar në dashurinë e Hyjit. Për këtë arsye është Sakrament. Sot duhet ta përforcojmë edhe një herë këtë realitet, në një periudhë në të cilën familja është në krizë, në gjendjen aktuale të krizës ekonomike dhe të kushteve të punës, dhe duhet të japim ndihmesën tonë, sepse shumica e të rinjve e do familjen, e dëshiron një marrëdhënie të qëndrueshme, për të gjithë jetën. Lumturia e njerëzve varet edhe nga jeta familjare.
Ju propozoni një qasje më tolerante ndaj familjeve në vështirësi, pa e mohuar natyrën e pazgjidhshme të Sakramentit të martesës. Çfarë propozoni, saktësisht?
Unë propozoj një rrugë përtej rigorizmit dhe laksizmit: është e qartë se Kisha nuk mund të përshtatet me “status quo”-në, prandaj duhet të angazhohemi edhe më shumë për të gjetur një rrugë të mesme, që është edhe rruga tradicionale e Kishës. Kujtoj këtu, mbi të gjitha, Shën Alfonsin nga Liguori, që donte këtë rrugë mes dy ekstremeve, të cilën duhet ta kërkojmë edhe sot. Është edhe rruga e Shën Tomës nga akuini në “Summa Theologica”. Pra, jam në shoqëri të mirë, me propozimin tim. Nuk është kundër moralit, nuk është kundër doktrinës, por, përkundrazi, në favor të zbatimit realistik të doktrinës, në kushtet aktuale të shumicës së njerëzve dhe për të kontribuar për lumturinë e tyre.
Ju flisni për humnerën që ndan doktrinën aktuale të Kishës dhe praktikën e shumë katolikëve. Disa ua vënë fajin grupeve që mbështesin politikën mësymëse kundër konceptit tradicional të familjes...
Është e qartë se ekzistojnë njerëz e grupe, që kanë ndonjë interes politik kundër familjes. Kjo është e qartë. Por Kishën e kanë kundërshtuar gjithmonë, gjatë gjithë historisë. Megjithatë, nuk janë vetëm interesat ideologjike dhe politike. Janë edhe problemet ekonomike, problemet që kanë të bëjnë me kushtet e punës dhe që sot janë të rënda. Kushtet e jetës në shoqëri kanë ndryshuar shumë dhe shumë vetë e kanë të vështirë ta realizojnë projektin e tyre të lumturisë. Pjesa më e madhe e të rinjve i dëshirojnë marrëdhëniet e qëndrueshme, familjen e qëndrueshme, por nuk ia dalin; dhe Kisha, nga ana e saj, duhet t’i ndihmojë njerëzit që gjenden në vështirësi.
Ju bëni krahasimin me mënyrën me të cilën Koncili II i Vatikanit solli revolucionin në marrëdhëniet ekumenike dhe ndërfetare, pa mohuar Magjisterin e Kishës. Ju, pra, a jeni optimist për faktin se Sinodi mbi familjen do të sjellë të njëjtin lloj revolucioni?
Unë nuk do të flisja për revolucion, por për thellim dhe zhvillim, sepse doktrina e Kishës është një lumë, që zhvillohet dhe kështu është zhvilluar edhe doktrina e martesës. Në këtë kuptim mendoj se hapi i tashëm është i ngjashëm me atë të Koncilit, ku kishte qëndrime të Kurjes Romake kundër ekumenizmit dhe kundër lirisë fetare; Koncili e ruajti doktrinën e detyrueshme – edhe këtu unë dua ta ruaj doktrinën e detyrueshme – por kam gjetur një rrugë për të tejkaluar ato çështje dhe kam gjetur një rrugëdalje. Është po ajo që duhet të gjejmë edhe ne sot. Kështu, nuk bëhet fjalë për një risi, por për përtëritjen e praktikave të Kishës, gjë që është përherë e mundhsme.
Kumtesa juaj për kardinalët duhej të ishte e rezervuar, por doli në shtyp dhe e ndezi debatin...
Po, patjetër, debati është i rëndësishëm dhe, në të vërtetë, e prisja. E kishte thënë edhe Papa se në fillim do të zhvillohej një debat. E Papa tha: “Në rregull. E duam debatin. Nuk duam një Kishë që fle, duam një Kishë të gjallë”. Kjo është normale. Por nuk ishte një dokument i fshehtë. Një tekst që shkon në duart e 150 vetëve nuk mund të jetë i fshehtë, nuk do të ishte aspak realiste dhe do të ishte utopike. Prandaj unë mendova ta botoja tekstin dhe më thanë se isha i lirë ta botoja. Por ajo që bëri një gazetë italiane, pra botimi pa autorizim, është kundër ligjit. Sipas meje, në këtë mënyrë, ata sabotuan vullnetin e Papës. Ata duan ta mbyllin diskutimin, ndërsa Papa dëshiron një diskutim të hapur, në Sinod. Pastaj rezultati do të varet nga Sinodi dhe nga Papa. Unë bëra një propozim, siç më kërkoi Papa të bëja. Do të shohim si do të ecë diskutimi në dy vitet e ardhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.