2014-03-10 13:59:10

Imzot Xuereb (Çuereb): Ju rrëfej një vit përkrah Papës Françesku


Të enjten është përvjetori i parë i zgjedhjes së Papës Françesku në Katedrën e Pjetrit. Vit i jashtëzakonshëm për jetën e Kishës, “kohë e mëshirës”, siç e ka theksuar vetë Papa. Njëri ndër njerëzit, që e kanë shoqëruar nga afër Atin e Shenjtë gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve të ngjeshur, është sekretari i tij personal, Imzot Alfred Xuereb, të cilin Papa e emëroi sekretar të përgjithshëm të Sekretarisë për Ekonominë e Vatikanit. Në këtë intervistë ekskluzive për Radio Vatikanin, imzot Xuereb merr në shqyrtim këtë vit të parë me Françeskun, duke filluar që nga 13 marsi i paharrueshëm i një viti më parë:
Ju më bëni të përjetoj sërish emocione dhe kujtime të shumta e tejet të thella: qenë çaste të veçanta, që, me siguri, do të mbesin në histori. Një Papë, i cili lë Papninë... Që më 28 shkurt, dita e fundit e papnisë së Papës Benedikti, kur e lamë përgjithmonë Pallatin Apostolik, deri më 15 mars, domethënë deri dy ditë pas zgjedhjes së Papës së ri, unë ndenja me Papën e nderit në Castel Gandolfo, për t’i bërë shoqëri dhe për ta ndihmuar si sekretar. Çasti i ndarjes nga Papa Benedikti qe për mua shumë pikëllues, sepse pata fatin të jetoja me të për pesë vjet e gjysmë, prandaj qe një çast shumë i vështirë, kur u largova dhe u shkëputa prej tij. Gjërat ishin rrokullisur shpejt dhe nuk e dija se pikërisht atë ditë do të përgatisja valixhet e do të largohesha nga Castel Gandolfo dhe nga Papa Benedikti. Por nga Vatikani më kërkonin të nxitoja, të mblidhja gjërat e të shkoja në Shtëpinë e Shën Martës, sepse Papa Françesku e hapte vetë deri edhe postën. Nuk kishte një sekretar, që ta ndihmonte. Atë paradite shkoja shpesh në kapelë, për të kërkuar dritë, sepse e ndjeja se isha i paqartë. Megjithatë, isha i sigurt, kisha ndjesinë e kulluar se po më udhëhiqte Dikush nga lart dhe e kuptoja se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme, edhe për jetën time. Pastaj hyra në studion e Papës Benedikti, duke qarë, dhe, me një lëmsh në grykë, u mundova t’i thosha sa i trishtuar isha dhe sa e vështirë ishte për mua të shkëputesha prej tij. E falënderova për dashamirësinë atërore dhe e sigurova se të gjitha përjetimet me të në Pallatin Apostolik më kanë ndihmuar shumë për t’i parë më mirë “gjërat që janë atje lart”. Pastaj u gjunjëzova, për t’i puthur unazën, që nuk është ajo e Peshkatarit, dhe ai, me një shikim atëror, të ëmbël, siç di të bëjë ai, u ngrit më këmbë dhe më bekoi.
Çfarë kujtimesh keni nga takimi i parë me Papën Françesku
Më thirri në studio, më priti me përzemërsinë e mirënjohur të tij dhe, duhet të them, më bëri një lojë – si ta quajmë – një lojë Pape. Në dorë mbante një letër dhe, me ton serioz, më tha: “Ah, po këtu kemi probleme, dikush nuk ka folur edhe aq mirë për ty!”. Unë mbeta pa gojë, por e kuptova se e kishte fjalën për letrën, në të cilën Papa Benedikti kishte pasur mirësinë të rendiste disa anë të mira të miat. Pastaj Papa Françesku më ftoi të ulesha në divan, ndërsa ai u ul pranë meje në një karrige. Më kërkoi, me ton shumë vëllazëror, ta ndihmoja në detyrat e tij të rëndësishme. Në fund deshi të dinte si janë marrëdhëniet e mia me eprorët dhe me njerëzit e tjerë, që kanë disa përgjegjësi. Iu përgjigja se kam marrëdhënie të mira me të gjithë, të paktën për sa varet nga unë.
Çfarë ju bie në sy nga personaliteti i Papës Françesku, meqë keni privilegjin të jetoni çdo ditë përkrah tij?
Vendosmëria e tij. Një bindje, e cila, jam i sigurt, i vjen nga lart, sepse është njeri thellësisht shpirtëror, që kërkon frymëzimin nga Hyji, në lutje. Për shembull, vizitën në Lampeduzë ai e vendosi sepse, pasi kishte hyrë disa herë në kapelë, i kishte ardhur vazhdimisht kjo ide: të shkonte personalisht, për të takuar këta njerëz, këta anijethyer, dhe për të qarë të vdekurit. Kur e vuri re se i ktheheshin shpesh në mendje, atëherë u sigurua se ishte Hyji, që ia kërkonte këtë. Edhe pse nuk kishte shumë kohë për ta përgatitur, ia doli. Të njëjtën metodë përdor edhe për zgjedhjen e njerëzve, që thërret për të bashkëpunuar me të nga afër.
Çfarë ju bie në sy, kur shikoni Françeksun Bari, përmasën e tij publike dhe si ushtron shërbesën petrine?
Edhe dikush tjetër ma ka bërë një pyetje të ngjashme dhe unë përgjigjem duke thënë se më vjen ndër mend vetvetiu figura e misionarit. Ai misionari klasik, që niset, shkon ndër indigjenë, për t’u bërë të njohur Ungjillin, Jezu Krishtin... Ja, pra, unë shoh tek Françesku misionarin, i cili thërret pranë vetes turmën, atë turmë, që ndoshta ndjehet e bjerrë, me qëllimin për ta drejtuar tek zemra e Ungjillit. Ai u bë – si të themi – famullitari i botës dhe po u jep zemër atyre që ndjehen larg Kishës, të kthehen, me sigurinë se do ta gjejnë vendin e tyre në Kishë. Ai sheh tek klerikalizmi dhe tek kazuistika pengesat e mëdha, që hasin të gjithë, për t’u ndjerë të dashur brenda Kishës, të shoqëruar prej saj. Por famullitarët dhe meshtarët na thonë gati përditë sa shumë njerëz janë kthyer tek Rrëfimi dhe tek zbatimi i fesë, falë inkurajimit të Papës Françesku, veçanërisht kur na kujton se Hyji nuk lodhet kurrë duke na falur. Ai, siç e keni parë, u kushton vëmendje të veçantë të sëmurëve dhe këtë e bën, sepse tek ata shikon trupin e Krishtit të vuajtur. Sëmundjet e veta i harron krejtësisht. Për shembull, gjatë muajve të parë të papnisë, kishte një dhimbje të fortë, për shkak të shiatikut. Mjekët e këshilluan që të mos përkulet, por ai, kur gjendet para të sëmurëve në karroca, ose para fëmijëve me lëngata, në karroca, përkulet mbi ta dhe u tregon afërsinë e tij. Kështu ndodhi, për shembull, edhe gjatë kremtimit eukaristik në Casal del Marmo, mbrëmjen e të Enjtes së Madhe, gjatë larjes së këmbëve. Pavarësisht dhimbjes, që me siguri do të kishte ndjerë, u përkul para secilit prej të dymbëdhjetë të rinjve të burgosur, për t’u puthur këmbët.
Papën Françesku e shohim të palodhshëm nëpër takime, në audienca... Si e jeton përditshmërinë, edhe në punë, në Shtëpinë e Shën Martës?
Më besoni, nuk humbet as edhe një minutë. Punon pa u lodhur. Dhe kur ndjen nevojën për të pushuar pak, nuk është se mbyll sytë e rri pa bërë gjë: ulet dhe lut Rruzaren. Mendoj se lut të paktën tri Rruzare në ditë. Më ka thënë: “Kjo më ndihmon për t’u çlodhur”. Pastaj ia nis punës përsëri. Pret një njeri pas tjetrit, për këtë është dëshmitar personeli i hyrjes së Shtëpisë së Shën Martës. Dëgjon me vëmendje dhe kujton me aftësi të jashtëzakonshme gjërat që dëgjon e shikon. Herët, në mëngjes, i kushton kohë meditimit dhe përgatit edhe homelinë e Meshës në Shën Martë. Pastaj shkruan letra, bën telefonata, përshëndet personelin që takon dhe interesohet për familjet e tyre.
Njëra nga dhuratat më të bukura të këtij viti të parë të papnimit është patjetër ajo e takimetve të Papës Françesku me Papën Benedikti. Ju, që jeni si një unazë lidhëse ndërmjet tyre, çfarë mund të na thoni për këtë “marrëdhënie vëllazërore”?
Në një intervistë të ditëve të fundit, Papa Françesku e zbuloi këtë gjë: ai këshillohet me të, kërkon të dijë pikëpamjen e tij. Do të ishte një humbje e madhe po të mos thithnim nga ky burim i madh urtie e përvoje. Në fakt e ka thirrur menjëherë: është si të kesh gjyshin në shtëpi, është, të themi, si të kesh njeriun e urtë brenda shtëpisë. Ja, menjëherë Papa Françesku e ka parë këtë prani si një dhuratë të paçmueshme, njësoj si një ipeshkëv i urtë, i sapo zgjedhur, që gjen mbështetje plot urti tek ipeshkvi i vet i nderit. Është domethënëse – për shembull – që, në kapelën e Castel Gandolfos, nuk pranoi të gjunjëzohej në gjunjëzoren e vet, por pranë Papës Benedikti. Pastaj deshi që Benedikti të ishte i pranishëm në bekimin e shtatores së Shën Mikelit Kryeengjëll këtu, në kopshtet e Vatikanit... dhe e bindi të merrte pjesë në Koncistorin që u bë për kardinajtë e rinj. Është një prani që e pasuron Papnimin e Papës Françesku.
Në përfundim, çfarë ju jep personalisht ky shërbim ndaj Papës Françesku, pasi i keni shërbyer nga afër Benediktit XVI dhe, të mos e harrojmë, edhe Gjon Palit II?
E vërej se Zoti po më prin nëpër udhë me të vërtetë të mistershme. Nuk do të ma kishte marrë mendja kurrë se do të kisha zhvilluar këtë lloj shërbimi. Por kështu është Hyji. Përndryshe do të ishim ne programuesit e shenjtërisë së jetës sonë. Gjej një ndihmë të madhe tek dëshmia dritëplote e lëshimit në duart e Hyjit, që kam pasur hirin të shoh personalisht tek Papa Gjon Pali II dhe tek Papa i Nderit, Benedikti, i cili, sa herë që gjendej para një situate të vështirë, i pëlqente të na jepte zemër, duke na thënë: “Zoti do të na ndihmojë”. Pastaj, sigurisht, mbështetja, si njerëzore, ashtu edhe shpirtërore, me anë të lutjes, që e di se bën edhe për mua Papa Françesku, më ngushëllon shumë.








All the contents on this site are copyrighted ©.