2014-03-09 12:56:12

QTV-ja mbledh në një DVD, imazhet më të bukura të vitit të parë të papnisë


Imazhet më të bukura të vitit të parë të papnisë së Horhe Mario Bergolios si edhe orientimet baritore, shkëputur nga fjalët e Papës Françesku, janë mbledhur në një DVD, prodhuar nga Qendra Televizive e Vatikanit (QTV), në bashkëpunim me Ofiçinën e Komunikimit dhe në një libër me titull “Kisha e Mëshirës Hyjnore”. Që sot, ato po shpërndahen së bashku me të përjavshmet kishtare “Familja e krishterë” (Famiglia Cristiana) dhe “Të besosh” (Credere).
Si libri, ashtu edhe imazhet, i ftojnë të gjithë të rijetojnë atmosferën e krijuar nga gjestet e fjalët, që u mbushën zemrat besimtarëve e jo besimtarëve, gjatë këtyre 12 muajve. Në 40 minutat e videove në DVD rishihen fytyrat e turmat pa fund, ridëgjohen lutjet, rijetohen përqafimet, udhëtimet e takimet e një Pape, që e filloi udhën e tij me një “Mirëmbrëma!” të thjeshtë. Të dëgjojmë drejtorin e Qendrës Televizive të Vatikanit, mons. Dario Viganò:
“Deshëm të zgjedhim imazhet më të fuqishme, ato që tashmë janë bërë edhe ikona simbolike, duke treguar 50 ngjarje, në të cilat Papa ka qenë protagonist. E më duket se vërtet, është përshkimi dhe vendosja në vendin e tyre e të gjithë gurëve të mozaikut, që sot, na bëjnë ta ndjejmë Zotin në botë, përmes Kishës”.
Në DVD, edhe imazhe të panjohura nga Konklavi për zgjedhjen e Papës, si lutja e tij në Sallën “Regia” e në Kapelën Paoline, ose çaste private në Shtëpinë e Shën Martës, ose kuriozitete si vizita e Atit të Shenjtë në kabinën e pilotit të avionit, që e çonte në Brazil për Ditën Botërore të Rinisë 2013:
“Ajo që më bën më shumë përshtypje është ideja e afërsisë. Afërsi, jo vetëm në kuptimin se Papa u qëndron afër njerëzve, i përkëdhel e i përqafon, por edhe sepse ai ndan me ta kohën që i kushtojnë Zotit, jetën e përditshme. Besoj se ky DVD tregon një vit të parë, që natyrisht ndjek kronologjikisht datat, por pa qenë reportazh historik. Më duket se na jep rastin për të reflektuar mbi disa çështje qendrore, që Kisha i jeton sot, falë Papës Françesku”.
Përsa i përket librit, të dëgjojmë kryetarin e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, imzot Klaudio Maria Çeli:
“Papa dëshiron të na ndihmojë ta rizbulojmë udhën tonë në këndvështrimin e dashurisë së Zotit, që na mbështjell me ëmbëlsinë dhe me faljen e tij. Dashuri, që është mëshirë, që është mikpritje, që është takim me njeriun”.








All the contents on this site are copyrighted ©.