2014-03-09 12:55:59

Papa Françesku e kryqi i atë Aristit: sa mirë bën një prift i mëshirshëm


Të enjten, Papa Françesku u takua me klerin romak, me të cilin foli hapur për shumë çështje të Kishës në kohën e sotme. Sidomos përvijoi figurën e meshtarit katolik, i cili duhet të jetë i mëshirshëm, nënvizoi. Në rrëfyestore, prifti ka rrezik të tregohet tepër zemërngushtë, ose tepër zemërgjerë. Asnjë nga këto dy qëndrime nuk është i drejtë. Zemërngushti i lan duart nga personi që ka përpara, i paraqet thjesht ligjin e ftohtë e të ngurtë, që pendestari nuk e ka zbatuar. Njëlloj edhe zemërgjeri, veçse në dukje është më i mëshirshëm, por në të vërtetë, nuk e merr seriozisht problemin e ndërgjegjes, që i paraqet besimtari.
Papa Françesku u kthye pas me kujtesë dhe u dha priftërinjve të pranishëm një shembull nga kleri i Buenos Ajresit. Foli për atë Aristin, rregulltar sakramentin, ku ai vetë shkonte për t’u rrëfyer. Meshtari, tha Ati i Shenjtë, ndërroi jetë mëse 90 vjeçar, në një mëngjes Pashkësh. Vikari i atëhershëm i dioqezës, imzot Bergolio, Papa aktual, shkoi të nderonte trupin e tij, para funeralit. “Aty ishte arkivoli – tregoi Papa – vetëm dy plaka të shkreta që luteshin, por asnjë lule... Për këtë njeri, që pati falur mëkatet e gjithë klerit të Buenos Ajresit, edhe të miat, as edhe një lule”. Por ja ç’ndodhi më vonë:
“U çova e shkova në një dyqan lulesh – sepse në Buenos Ajres, në kryqëzimet e rrugëve, aty ku ka njerëz, ka dyqane lulesh – e bleva lule, trëndafila… U ktheva dhe fillova ta përgatis mirë arkivolin, fillova të vendos lulet… Pastaj pashë Rruzaren që kishte në dorë… E menjëherë më shkoi ndërmend – hajduti që nganjëherë kemi brenda vetes, apo jo? – e ndërsa sistemoja lulet, mora kryqin e Rruzares dhe e shkula me pak forcë. Në atë çast, e pashë dhe thashë: “Më jep të paktën gjysmën e mëshirës tënde!” Pastaj e futa kryqin në xhep. Rrobet e Papës nuk kanë xhepa, por unë e mbaj gjithnjë me vete atë kryq, në një zarf të vogël stofi, të qepur këtu. E kur më vjen ndonjë mendim i keq kundër ndonjërit, dora më shkon vetë këtu, gjithmonë. Dhe e ndjej atë hir! Ndjej se më bën mirë. Sa mirë bën shembulli i një prifti të mëshirshëm, i një meshtari, që u rri pranë plagëve…”.







All the contents on this site are copyrighted ©.