2014-03-09 18:38:23

Papa, me autobuz në Ariccia, për ushtrimet shpirtërore


Sot, në të Dielën I të Kreshmëve, Papa Françesku tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Ndërsa pasdite, në orën 16.00, u nis me autobus nga Vatikani, së bashku me rreth tetëdhjetë kardinaj e ipeshkvij të Kuries Romake, për në Ariccia (Ariça), pranë Romës, ku do të ndjekë ushtrimet shpirtërore. Predikatari i tyre është famullitari i kishës së Shën Markut Ungjilltar në Kampidoljo, don Angelo De Donatis (Anxhelo De Donatis). Ushtrimet shpirtërore, filluar që sot në orën 18.00, me Lutjen e Mbrëmjes, mbahen në rezidencën e paolinëve “Shtëpia e Mësuesit Hyjnor” dhe kanë për temë “pastrimin e zemrës”. Skema e çdo dite parashikon kremtimin eukaristik në orën 7.30, dy meditime (në orën 9.30 dhe në orën 16.00), Mbrëmësoret dhe adhurimin eukaristik në orën 18.00. Ushtrimet shpirtërore të Papës me Kurien do të përfundojnë të premten, më 14 mars, pas meditimit të paradites. Në orën 10.30, nisja nga Ariccia për t’u kthyer në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.