2014-03-09 15:00:07

Françesku në Engjëllin e Tënzot: nuk dialogojmë me Shejtanin, mbrohemi me Fjalën e Zotit


Kohë Kreshme: rast i përshtatshëm për të ecur në rrugën e pendesës, të shndërrimit shpirtëror, të përtëritjes së jetës! Kështu u shpreh sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në të Dielën e parë të Kreshmëve. Papa i ftoi të gjithë t’i bien mohit djallit, veprave të tija e tundimeve të tija, duke u mbrojtur gjithnjë me Fjalën e Zotit.

Françesku, i frymëzuar nga Ungjilli, përshkroi duelin e Zotit me Shejtanin, kur Shpirti Shenjt, i zbritur mbi Jezusin pas Pagëzimit në Jordan, e shtyn ta përballojë haptazi djallin në shkretëtirë, para se të fillojë misionin e Tij publik. Tunduesi përpiqet ta shkëpusë Jezusin nga udha e Kryqit, ta bëjë të dredhojë rrugë, të ecë në rrugë të lehta, në rrugën e suksesit, të pushtetit, të kënaqësive. Djalli e josh me shpresa të rreme mesianike:
“… me mirëqenien ekonomike, kur e këshillon t’i shndërrojë gurët në bukë; me stilin spektakolar e mrekullistik, kur e josh me idenë për t’u hedhur nga pika më e lartë e tempullit të Jeruzalemit e për t’u shpëtuar nga engjëjt; e së fundi, me ftesën për të zgjedhur rrugën më të shkurtër, atë të pushtetit e të sundimit, me kusht veç, që ta adhurojë Shejtanin. Tre grupe tundimesh. Edhe ne i njohim fare mirë”.
Por Jezusi i mposht vendosmërisht tundimet e vijon, pa u lëkundur e pa u joshur, rrugën e caktuar nga Ati qiellor. Nuk bën asnjë kompromis me mëkatin e me logjikën e botës:
Vërejeni mirë si përgjigjet Jezusi: Ai nuk dialogon me Shejtanin, siç pati bërë Eva në Parajsën tokësore. Jezusi e di mirë se me Shejtanin nuk mund të dialogohet, sepse është tepër dinak. Prandaj, në vend që të dialogojë, siç pati bërë Eva, gjen strehë në Fjalën e Zotit e përgjigjet me forcën e kësaj Fjale. Të mos e harrojmë këtë në çastin e tundimit: kurrfarë argumenti me Shejtanin, por gjithnjë të mbrojtur nga Fjala e Zotit. E kjo do të na shpëtojë”.
Në përgjigjet, që i jep Shejtanit, Jezusi kujton sidomos se “njeriu nuk jeton vetëm prej buke”, por prej çdo fjale, që del nga goja e Zotit:
E kjo na jep forcë, na mbështet në luftën kundër mendësisë së botës, që e poshtëron njeriun, e ul në nivelin e nevojave fillestare, duke e katandisur deri atje, sa të humbasë urinë për gjithçka është e vërtetë, e mirë, e bukur; urinë për Zotin e për dashurinë e Tij”.
Kujtoi, më pas, se rrin shkruar: “Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd”:
“…sepse udha e fesë kalon edhe përmes errësirës, dyshimit, e ushqehet me durim e pritje ngulmuese”.
Kujtoi edhe se rri shkruar: “Adhuroje Zotin, Hyjin tënd, e vetëm Atij shërbeji!”:
“…domethënë, duhet të rrimë larg idhujve, larg sendeve të kota e ta ndërtojmë jetën tonë mbi atë, që është themelore” .
Prej këndej, ftesa e Papës për t’i përsëritur Premtimet e Pagëzimit:
“Heqim dorë nga Shejtani dhe të gjitha veprat e tija e joshjet e tija - sepse ai është mashtrues i madh - për të ecur në shtigjet e Zotit e për të arritur tek Pashkët me gëzimin e Shpirtit Shenjt”.
Në përshëndetjet, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, një ftesë për solidaritet:
“Gjatë këtyre Kreshmëve, ta kemi parasysh ftesën e Karitasit ndërkombëtar në fushatën e tij kundër urisë në botë”.
Në fund, një kërkesë e posaçme:
“Ju kërkoj një kujtim në lutje, për mua e për bashkëpunëtorët e Kuries Romake, që sonte do të fillojmë javën e Ushtrimeve Shpirtërore. Faleminderit!”.










All the contents on this site are copyrighted ©.