2014-03-07 17:39:29

Papa Këshillit Ekumenik të Kishave: përpara, me besim drejt bashkimit të të krishterëve


Ndarjet e të krishterëve nuk duhen pranuar me nënshshtrim; të ecim përpara me besim, drejt bashkimit. Është ky urimi i Papës drejtuar delegacionit të Këshillit Ekumenik të Kishave (Wcc), kryesuar nga sekretari i përgjithshëm, i nderuari Olav Fykse Tveit, pritur sot paradite, në Vatikan.

Pengesë e rëndë për dëshmimin e Ungjillit në botë. Kështu janë ndarjet, që vijojnë edhe sot e kësaj dite ndërmjet të krishterëve, për të cilat Papa Françesku u foli përfaqësuesve të organizmit ekumenik, duke i falënderuar për shërbimin që i bëjnë kauzës së unitetit ndërmjet besimtarëve në Krishtin. E pastaj, Papa u ndalua pikërisht tek ndarjet, që vijojnë.
Ato nuk duhen pranuar me nënshtrim, si të ishin pjesë e pashmangshme e përvojës historike të Kishës. Nëse të krishterët nuk duan ta dëgjojnë thirrjen për bashkim, që ua drejton Zoti, ata rrezikohen të mos e njohin vetë Zotin dhe shëlbimin, që na e dhuroi përmes Korpit të Tij, Kishës”.
Marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe Këshillit Ekumenik të Kishave, kujtoi Ati i Shenjtë, nisën të thellohen duke nisur nga Koncili II i Vatikanit e, duke kapërcyer moskuptimet reciproke, arritën në një bashkëpunim të sinqertë ekumenik si dhe në shkëmbimin e shumë dhuratave ndërmjet bashkësive të ndryshme:
“Rruga drejt bashkimit të plotë e të dukshëm, edhe sot duket e përpjetë e thepisur. Por Shpirti i Zotit na fton të mos kemi frikë, të ecim përpara me besim e të mos kënaqemi me hapat, që mundëm të bëjmë këto dhjetvjeçarë”.
Themelore, në këtë shtegtim, është lutja, theksoi Papa:
Vetëm me frymën e lutjes së përvuajtur e ngulmuese, mund të kemi largpamësinë e duhur, gjykimin dhe motivet për t’ia ofruar shërbimin tonë familjes njerëzore në të gjitha ligështitë dhe nevojat e saj, si shpirtërore, ashtu edhe materiale”.
Në përfundim Papa uroi që në takimin ndërmjet delegacionit të Wcc dhe Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, të gjindet rruga më e drejtë për të ecur me siguri drejt bashkimit të plotë.










All the contents on this site are copyrighted ©.