2014-03-07 17:39:03

Papa: agjërimi më i vështirë është të përkulesh mbi njeriun e plagosur; agjërimi është ledhatim


“Turpërohem nga korpi i tim vëllai, i sime motre?” Është një nga pyetjet, që bëri sot Papa, gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë vuri me forcë në dukje se jeta e fesë lidhet ngushtë me dashurinë e krishterë për të varfërit, pa të cilën ajo, që dëshmojmë me gojë, mbetet thjesht hipokrizi.

Krishterimi nuk është doracak rregullash formale, për njerëz që vënë maskën e hipokrizisë, pas së cilës fshehin zemrën e zbrazët, pa dashuri. Krishterimi është “Korpi i Krishtit”, që përkulet pa pikën e turpit mbi njeriun e vuajtur. Për ta shpjeguar këtë kundërvënie, Papa Françesku u mbështet tek dialogu i Ungjillit të sotëm, ndërmjet Jezusit e doktorëve të Ligjit. Doktorët i kritikojnë dishepujt sepse nuk e respektojnë agjërimin, ndryshe nga farizenjtë, që e mbajnë me kujdes të madh. E kjo ndodh, shpjegoi Papa, sepse doktorët e ligjit e kishin shndërruar zbatimin e Ligjeve, në formalitet, jetën fetare, në ‘etikë’, duke e harruar rrënjën, historinë e shëlbimit, të popullit të zgjedhur, të besës së lidhur ndërmjet tij e vetë Zotit:
“Të marrësh nga Zoti dashurinë e Atit, të marrësh nga Zoti identitetin e një populli, e ta shndërrosh në etikë, do të thotë të mos e pranosh dhuratën e dashurisë. Këta hipokritë mbahen si njerëz të mirë, bëjnë gjithçka duhet bërë. Duken të mirë! Janë eticistë, po eticistë pa kurrfarë mirësie, sepse e kanë humbur ndjesinë e përkatësisë së një populli! Shëlbimit, Zotit, brenda popullit, atij populli, që Zoti e zgjodhi për Vete”.
E pra, vijoi Papa, që kur profetizonte Izaia, fjalë që u dëgjuan në Leximin e parë, Profeti përshkroi qartë ç’do të thotë, agjërim, sipas Zotit: “T’i coptosh zinxhirët e padrejtësisë”,.. “ t’i çlirosh të shtypurit’, por edhe ta ndash bukën me të uriturin, t’ua hapësh portën të pastrehëve, ta veshësh njeriun e zhveshur:
“Ky është agjërimi, që dëshiron Zoti! Agjërim, që shqetësohet për jetën e vëllait, që nuk turpërohet – e thotë vetë Izaia - nga korpi i vëllait. Përsosuria jonë, shenjtëria jonë, shkon para me popullin tonë, në të cilin bëjmë pjesë, si të zgjedhur. Akti ynë më i lartë i shenjtërisë, është pikërisht qëndrimi ndaj korpit të vëllait, Korp i vetë Jezu Krishtit. Akti i shenjtërisë së sotme, shenjërisë sonë, këtu, në elter, nuk është agjërimi hipokrit: nuk është turpërimi nga Korpi i Krishtit, që vjen sot, këtu! Është misteri i Korpit e i Gjakut të Krishtit. Është të shkosh e ta ndash bukën me të uriturin, të mjekosh të sëmurin, të përkëdhelësh plakun, atë që nuk mund të të japë asnjë shpërblim: kjo do të thotë të mos turpërohesh nga korpi”.
E është agjërimi më i vështirë, pohoi Papa Françesku. Agjërimi i mirësisë. Është agjërimi i Samaritanit të Mirë, që përkulet mbi njeriun e plagosur, e jo i priftit, që e shikon e vijon rrugën pa kthyer kokën, ndoshta-ndoshta edhe nga frika se mund të përlyhet. Prandaj, theksoi më pas, sot Kisha i fton gjithë besimtarët t’i bëjnë vetes pyetjen: “A turpërohem nga korpi i vëllait tim, i motrës sime?”:
“Kur jap lëmoshë, a e lëshoj monedhën në dorën e shtrirë kah unë, pa e cikur fare? E në se rastësisht e cik, a e fshij shpejt e shpejt? Kur jap lëmoshë, a e shikoj në sy vëllain tim, motrën time? Kur e di se dikush është sëmurë, a shkoj ta takoj? A e përshëndes me dashuri? Është një shenjë, që ndoshta do t’ju ndihmojë, është një pyetje; a di t’i ledhatoj të sëmurët, pleqtë, fëmijët, apo e kam humbur fare aftësinë për të përkëdhelur? Hipokritët nuk dinin të përkëdhelnin! Kishin harruar… Nuk duhet të turpërohemi nga korpi i vëllait tonë: është korpi ynë! Do të gjykohemi pikërisht për atë, që i bëmë vëllait, motrës sonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.