Benedikti XVI: Ju rrëfej shenjtërinë e Gjon Palit II, papë e mik
Karol Wojtyla mund të kuptohet “vetëm duke u nisur nga marrëdhënia e tij me Hyjin”.
Është njëra nga fjalitë e intervistës së Benediktit XVI me Wlodzimierz Redzioch, botuar
në librin “Pranë Gjon Palit II”, me rasti e shenjtërimit të papës polak më 27 prill.
Në intervistën e gjatë, e para pas tërheqjen nga shërbesa petrine, Papa i nderit reflekton
mbi personalitetin dhe përshpirtërinë e paraardhësit të vet dhe tregon marrëdhëniet
e jashtëzakonshme me Gjon Palin II, kur ishte prefekt i Kongregatës për Doktrinën
e Fesë. “Atë i Shenjtë, duhet të pushoni”; e ai: “Mund të pushoj në qiell”. Në
këtë bashkëbisedim të Gjon Palit II me kardinalin Joseph Ratzinger, në vitin 1980,
kur Papa kishte shkuar në Mynih, është e përmbledhur denduria e marrëdhënieve të dy
shërbëtorëve të jashtëzakonshëm të Zotit. Benedikti XVI kujton se takimi i tij i parë
me Karol Wojtylen u zhvillua në vitin 1978, gjatë konklavës, por e kishin “kërkuar”
njëri-tjetrin që në kohën e Koncilit II të Vatikanit, kur punonin për Kushtetutën
Gaudium et Spes. “Pikasa menjëherë mprehtë – thotë Ratzinger – njerëzinë e tij joshëse
dhe, duke parë si lutej, kuptova sa ishte i bashkuar me Hyjin”. Duke kujtuar vitet
e bashkëpunimit me Papën polak, në krye të kongregatës për Doktrinën e Fesë, Ratzinger
thotë se ky bashkëpunim “qe gjithmonë miqësor e i përzemërt” dhe u zhvillua si zyrtarisht,
ashtu edhe privatisht. Papa i nderit kujton se “ishte gjithmonë gjë e bukur, për
të dy, të kërkonim së bashku vendimin e drejtë” mbi çështjet e mëdha për jetën e Kishës. Sfida
e parë e madhe, zbulon Ratzinger, qe ajo e “Teologjisë së çlirimit” që po përhapej
në Amerikën Latine. Opinioni se ashtu mund të mbroheshin të varfrit ishte i gabuar.
Sigurisht të varfëri ishin në qendër të kësaj teologjie, por në një perspektivë specifike,
në perspektivën e revolucionit: “përdorej feja e krishterë si motor për këtë lëvizje
revolucionare, dhe kështu shndërrohej në një forcë e tipit politik”. Gjon Pali II,
kujton ish prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, na ndihmoi “nga njëra anë,
që t’i hiqnim maskën idesë së rreme të çlirimit, nga ana tjetër të nxirrnim në pah
thirrjen e mirfilltë të Kishës për çlirimin e njeriut”. Sfidat e tjera, kujton, ishin:
“përpjekjet për të kapur kuptimin e drejtë të ekumenizmit”, dialogu mes feve dhe lidhja
e Kishës me shkencën. Benedikti XVI përmend si enciklikë të rëndësishme të Gjon
Palit II Redemptor Hominis dhe flet gjatë mbi përshpirtërinë e të lumit Wojtyla, në
të cilën spikat lutja e tij e thellë the kremtimi i eukaristisë. “Bindja se Gjon Pali
Ii ishte shenjt më është bërë gjithnjë e më e qartë” – shpjegon “Gjon Pali II unk
kërkonte miratime, as nuk është shqetësuar si do të priteshin vendimet e tij. Ai veproi
gjithmonë duke u nisur nga feja dhe nga bindja se ishte i gatshëm të pësonte çdo goditje”.
“Vetëm duke u nisur nga marrëdhënia e tij me Hyjin është e mundur ta kuptojmë angazhimin
e tij të palodhur baritor. E dhuroi vetveten në një mënyrë aq rrënjësore që nuk mund
të shpjegohet ndryshe”. Kujtimet e Ratizingerit për paraardhësin e tij bëhen të
ëmbla, kur thotë se “shpesh herë do të kishte gjetur arsyet e mjaftueshme për të më
fajësuar ose për t’i dhënë fund detyrës sime si prefekt. E megjithatë më mbështeti
me besnikëri e mirësi absolutisht të pakuptueshme”. Shembulli që përmend është ai
i Deklaratës Dominus Jesus, që bëri shumë bujë e rrëmujë, por që Gjon Pali II e mbrojti
“pa mëdyshje”, sepse e kishte miratuar “pa kushte”. Benedikti XVI përfundon duke
thënë: “Jam i sigurt se edhe sot mirësia e tij më shoqëron dhe bekimi i tij më mbron”.