2014-03-06 16:10:12

“Në mbarë Kishën është koha e mëshirës” Takimi i Papës me meshtarët e Romës


Sot paradite Papa u takua me meshtarët e dioqezës së Romës, në sallën Pali VI, në Vatikan. RealAudioMP3 Ati i Shenjtë e filloi takimin me një lutje për don Luigi Retrosi-n, ish famullitarin e Shën Ambrozit në Aurelio, i cili vdiq dje, në moshën 74-vjecare. Pastaj tha se është prekur shumë për shkak të padive të padrejta kundër një numri të madh meshtarësh, me të cilët ndan dhimbjen e kësaj padrejtësie. “Dua ta them publikisht – tha Papa – se jam afër meshtarëve, sepse të paditurit, këtu, nuk janë 7-8-15... Është mbarë presbiteri, tek personat e këtyre 7-8-15 vetëve. Dëshiroj t’ju kërkoj falje juve, gjithashtu, jo vetëm si ipeshkvi juaj, por edhe si i ngarkuari me shërbimin diplomatik, si Papë, sepse njëri ndër paditësit është anëtar i shërbimit diplomatik.
“Në mbarë Kishën është koha e mëshirës”. Ipeshkvi i Romës e nisi me këto fjalë kumtesën plot pasion me meshtarët e Romës, si një shqyrtim të ndërgjegjes, ndarë vëllazërisht me të tjerët, të mbushur me kujtime nga përvoja e vet baritore në Buenos Ajres. Një vëmendje të veçantë Papa ia kushtoi intuitës së Gjon Palit II për themelimin e festës së Mëshirës Hyjnore dhe për shenjtërimin e motër Faustina Kovalskës. Për të lumin Gjon Pali II, Papa Françesku tha se ai kishte “nuhatjen se kjo ishte koha e mëshirës”. Mbi këtë temë, vijoi Ati i Shenjtë, duhet të meditojmë edhe një herë:
Sot harrojmë gjithçka tepër shpejt. Edhe Magjisteri i Kishës. Pjesërisht është e pashmangshme, por përmbajtjet e rëndësishme, intuitat e mëdha dhe dorëzimet që i janë lënë popullit nuk mund t’i harrojmë. Dhe ai i mëshirës hyjnore është njëri prej tyre. Na e la në dorëzim ai, por që vjen nga lart.
Na takon neve – shtoi Papa – si shërbestarë të Kishës, ta mbajmë gjallë këtë mesazh, mbi të gjitha në predikim dhe me gjeste, me shenja, me vendimet baritore, për shembull vendimi për t’i kthyer përparësinë sakramentit të Pajtimit dhe, në të njëjtën kohë, veprave të mëshirshme. Papa pyeti: çfarë do të thotë ‘mëshirë’ për ne meshtarët. Por në fillim rrëfeu këtë fakt:
Më vjen ndër mend se disa prej jush më kanë telefonuar, më kanë shkruar një letër, pastaj kam folur në telefon... ‘Por, Papë, pse e ke me meshtarët?’.
Meshtarët, pohoi, mallëngjehen përballë deleve, si Jezusi, kur i shihte njerëzit të lodhur, të këputur, si delet pa bari. Jezusi ka ‘të përbrendshmet’ e Hyjit, Isaia flet shumë për këtë: është plot butësi me njerëzit, veçanërisht me të përjashtuarit, domethënë me mëkatarët, me të sëmurët, për të cilët nuk kujdeset askush”:
Kështu, sipas shembullit të Bariut të Mirë, meshtari është njeri i mëshirës dhe i keqardhjes, afër njerëzve të vet dhe shërbëtor i të gjithëve. Ky është një kriter baritor që dëshiroj të theksoj fort: afërsia. Afërsia dhe shërbimi, por afërsia! Kushdo që është i lënduar, në jetën e vet, në çfarëdo mënyre, mund të gjejë tek ai vëmendje dhe dëgjim
Veçanërisht, komentoi Papa meshtari i tregon të përbrendshmet e mëshirës kur kremton sakramentin e Pajtimit; e tregon me tërë sjelljen e vet, me mënyrën si i pret njerëzit, si i dëgjon, si i këshillon, si i zgjidh... Por kjo rrjedh nga mënyra si e jeton ai vetë sakramentin, si e lejon Hyjin Atë ta përqafojë në Rrëfim dhe rri në këtë përqafim... Nëse një njeri e jeton këtë për vete, në zemrën e vet, mundet edhe t’ua japë të tjerëve në shërbesë. Meshtari, shtoi Papa, është i thirru të ketë një zemër që mallëngjehet:
Meshtarët – po ia lejoj vetes këtë fjalë – ‘e papërlyer’ ata të ‘laboratorit’, gjithçka bukur, nuk e ndihmojnë Kishën. Sot Kishën mund ta mendojmë si një spital fushimi: është e nevojshme të kujdesemi për plagët, shumë plagë, shumë plagë. Ka shumë njerëz, që janë të plagosur nga problemet materiale, nga skandalet, edhe të Kishës. Njerëz të plagosur nga iluzionet e botës... Ne meshtarët duhet të jemi aty, afër këtyre njerëzve. Mëshirë do të thotë para së gjithash të kujdesesh për plagët.
Kur një njeri është i palgosur, tha më tej Ati i Shenjtë, “ka nevojë menjëherë për këtë gjë, jo për analiza, si doza e kolesterolit, e glicemisë... Por është plaga. Mjeko plagën, pastaj shohim analizat”. Nga ana tjetër ka edhe “plagë të fshehura” dhe njerëz “që largohen për të mos i treguar plagët”, të cilët, shtoi, “largohen, ndoshta, duke shtrembëruar fytyrën kundër Kishës, por thellë brenda dhemb plaga... duan një ledhatim”. Ju, pyeti përsëri Françesku, “a i njihni plagët e anëtarëve të famullive tuaja? A i nuhasni? A jeni afër tyre?” E pastaj foli për sakramentin e Pajtimit:
Na ndodh shpesh, ne priftërinjve, të dëgjojmë përjetimet e vëllezërve tanë, që na tregojnë se kanë gjetur në rrëfim ndonjë prift shumë ‘të ngushtë’ ose shumë ‘të gjerë’, laksist ose rigorist. Kjo nuk është mirë. Është gjë normale që rrëfyesit të kenë stile të ndryshme, por këto ndryshime nuk mund të prekin substancën, domethënë doktrinën e shëndoshë morale dhe mëshirën. As laksisti as rigoristi nuk i japin dëshmi Krishtit, sepse as njëri as tjetri nuk e marrin përsipër personin që takojnë.
Rigoristi, pohoi Papa, “e gozhdon” njeriun në “ligjin e kuptuar në mënyrë të ftohtë e të ngurtë”, ndërsa laksisti “lan duart”, “vetëm në dukje është i mëshirshëm, por në realitet nuk e merr seriozisht problemin e asaj ndërgjegjeje dhe e minimizon mëkatin”:
Mëshira e vërtetë e merr përsipër njeriun, e dëgjon me vëmendje, afrohet me respekt e me vërtetësi dhe e shoqëron në udhën e pajtimit. E kjo është e lodhshme. Po, sigurisht. Meshtari vërtet i mëshirshëm sillet si Samaritani i Mirë... po pse e bën këtë? Se zemra e tij është e aftë të ndjejë keqardhje, është zemra e Krishtit!.
“As laksizmi as rigorizmi nuk e shtojnë shenjtërinë” – vijoi Papa -. Ndoshta, shtoi, disa rigoristë mund të duken shenjtër, por kujtoni Pelagjin e pastaj flasim. Mëshira e shoqëron ecjën e shenjtërisë, e shoqëron dhe e ndihmon të rritet”. Në këtë shoqërim përjetohen vuajtjet baritore. Cilat janë këto vuajtje? Vuajtjet e njerëzve që takojmë. Në fund Papa u drejtoi këto pyetje meshtarëve të Romës:
Më thuaj: Ti, a qan? Apo i kemi humbur lotët? Si janë marrëdhëniet tuaja me fëmijët, me të moshuarit, me të sëmurët? A di t’i përkëdhelësh, apo ke turp të përkëdhelësh një të moshuar?
“Mos ki turp nga trupi i vëllai tënd”, tha Papa. “Në fund do të gjykohemi mbi mënyrën me të cilën i kemi ndenjur afër çdo trupi njerëzor.








All the contents on this site are copyrighted ©.