2014-03-06 11:57:53

Patriarkati ekumenik: takim i Primatëve ortodoksë, në praninë e Moskës


Që dje e deri më 9 mars, në Stamboll, janë mbledhur Primatët e Kishave ortodokse, të thirrur nga Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu, për të programuar së bashku realizimin e një Koncili të Madh panortodoks. Ngjarja është me rëndësi të veçantë, sepse në këtë koncil, patriarkët duhet të vendosin për disa çështje si shpallja e një kishe autoqefale, apo paria ndërmjet Kishave të ndryshme ortodokse. Duhet të caktojnë edhe një mënyrë të përbashkët për marrjen e vendimeve, që mund të parashikojë ose jo konsensusin e shumicës absolute.
Merr pjesë në këtë takim, në Fanar, edhe një delegacion rus, i kryesuar nga Mitropoliti Hilarion, kreu i Deparatamentit për marrëdhëniet e jashtme në Patriarkatin e Moskës. Dje u trajtuan tema të ndryshme si dialogu ekumenik me Kishën Katolike, gjendja e të krishterëve në Lindjen e Mesme, varfëria në botë dhe procedura e mbledhjes së Koncilit të ardhshëm të madh të Kishës Ortodokse, i cili po përgatitet që prej 50 vjetësh.
Mitropoliti rus, Hilarion, duke kritikuar këtë gjendje, kërkoi të shkurtohen afatet dhe të krijohet një mekanizëm për të vendosur ditën, rregullat e Koncilit, pjesëmarrësit e mënyrën e përfaqësimit të Kishave të ndryshme, si edhe mënyrën e marrjes së vendimeve. Për përfaqësuesin e Patriarkatit të Moskës, problemi kryesor në botën ortodokse janë të krishterët e Lindjes së Mesme. Pas “pranverave arabe” e përmbysjes së regjimeve, gjendja ka kaluar në kaos. Forcat ekstremiste sulmojnë të krishterët, sekuestrojnë priftërinj, peshkopë e murgesha dhe shkatërrojnë kishat.
“E gjithë kjo tragjedi – denoncoi Hilarion – po luhet nën sytë tanë. E shpesh mediat heshtin. Ne, si përfaqësues të Kishave ortodokse vendase, duhet të bëjmë ç’është e mundur për të tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkonmbëtare, për t’u solidarizuar me vëllezërit e motrat tona të persekutuara, që genocidi kundër të krishterëve në Lindjen e Mesme të ndalet, pengjet të lirohen e të ikurit të kthehen në shtëpitë e tyre”. Patriarkati i Moskës i shprehu solidaritet të veçantë Kishës së Antiokisë, duke kërkuar lirimin e dy peshkopëve të marrë peng vitin e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.