2014-03-06 11:57:21

Papa Françesku: nuk ka stil të krishterë, pa Kryqin e pa Jezusin


Përvuajtëri, butësi, bujari: ky është stili i të krishterit, tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. RealAudioMP3 Por, është udhë që kalon përmes Kryqit, siç ndodhi për Jezusin e, pavarësisht nga kjo, sjell gëzim. Në Ungjillin e sotëm, Jezusi u thotë dishepujve: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë”. Ky, nënvizoi Papa, është stili i krishterë, sepse Jezusi, i pari, e ka përshkuar këtë udhë:
“Ne nuk mund ta mendojmë jetën e krishterë jashtë kësaj udhe. Gjithnjë ekziston kjo udhë, që Jezusi e përshkoi i pari: udha e përvuajtërisë, udha, edhe e poshtërimit, e mohimit të vetvetes, për t’u ringjallur më pas. Kjo është rruga! Stili i krishterë, pa Kryqin, nuk është i krishterë, e nëse Kryqi është pa Jezusin, nuk është i krishterë. Sipas stilit të krishterë, marrim Kryqin e Jezusit dhe ecim përpara. Jo pa Kryqin, jo pa Jezusin”.
Jezusi na dha shembullin e Tij, vazhdoi Papa, e, megjithëse ishte i njëgjëjtë me Zotin, mohoi vetveten dhe u bë shërbëtor për të gjithë ne:
“Ky stil do të na shpëtojë, do të na japë gëzim e do të na bëjë të frytshëm, sepse udha e mohimit të vetvetes shërben për të dhuruar jetën, është kundër udhës së egoizmit, kundër lidhjes me pasuritë vetjake… Kjo udhë është e hapur për të tjerët, sepse ajo është rruga e përshkuar nga Jezusi, udha e vetëmohimit, udhë për të dhuruar jetën. Stili i krishterë është i përvuajtur, i butë, i përultë”.
“Kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë”, u thotë Jezusi dishepujve, “sepse nëse kokrra e grurit nuk vdes, nuk mund të japë fryte”. Papa shpjegoi se, pavarësisht se duket kontradiktore, kjo “humbje e jetës për ta fituar” më pas, sjell gëzim e këtë gëzim na e jep vetë Jezusi. Ky është stili i Tij e të krishterët duhet ta ndjekin, ashtu si mundin, me bujari. Egoizmi, vërejti Ati i Shenjtë, na nxit të dukemi të rëndësishëm para të tjerëve. Ndërsa, libri “Të përngjamët e Krishtit” na jep një këshillë, citoi Papa tekstin më të përhapur në botën e krishterë, pas Biblës: “Dëshiro që mos të të njohin aspak e të të gjykojnë si asgjë”. Kjo është përvuajtëria e krishterë, theksoi Ati i Shenjtë:
“Ky është gëzimi ynë, këto janë frytet tona: të shkojmë me Jezusin. Gëzimet e tjera nuk japin fryte… Vetëm mendojnë – siç thotë Zoti – të fitojnë botën mbarë, por në fund, humbasin dhe e shkatërrojnë jetën. Në fillim të Kreshmëve, t’i lutemi Hyjit të na e mësojë pak këtë stil të krishterë shërbimi, gëzimi, vetëmohimi, që sjell fryte bashkë me Të, ashtu si do Ai”.








All the contents on this site are copyrighted ©.