Në vijim të paraqitjes së përmbledhur të thirrjes apostolike Evangelii gaudium, edhe
sot flasim për disa nga kriteret, që propozon Papa Françesku, për përgatitjen e homelisë.
Një mënyrë konkrete
për të dëgjuar çfarë dëshiron të na thotë Hyji me anë të Fjalës është ajo që quhet
lectio divina. Pasi meshtari ta ketë studiuar tekstin, për të kapur mesazhin e tij
qendror, duhet të ndalet e të lutet me këtë tekst, për të dëgjuar çfarë i thotë Fjala
e Hyjit për jetën e tij. Duhet të pyesë: “Zot, çfarë më thotë mua ky tekst?” Qëndrimi
përballë Fjalës së Hyjit e bën të vërtetë përvetësimin dhe përçimin e saj, sepse kështu
Fjala e depërton predikuesin, edhe pse nganjëherë mund të jetë e dhimbshme: “Kur kërkojmë
të dëgjojmë Zotin është normale të na vijnë tundimet. Njëri prej tyre është ndjenja
e bezdisë, e ndrydhjes, e mbylljes në vetvete. Një tundim tjetër, që haset shpesh,
është të fillosh të mendosh çfarë u thotë ky tekst të tjerëve, për të shmangur zbatimin
e tij në jetën tënde” (n.153). Duke qenë se Fjala e Zotit mund të na prekë personalisht,
rrezikojmë të humbim gëzimin e dëgjimit të saj. Nëse ndodh kështu, duhet të kujtojmë
se “askush nuk është më i duruar se Hyji Atë, se askush nuk na kupton dhe nuk di të
presë si ai” (n. 53). Është e rëndësishme që predikuesi ta shikojë jetën e vet me
sinqeritet dhe të paraqitet para syve të Hyjit pa u shtirur. Përveç Fjalës së
Hyjit, të cilën duhet ta studiojë e ta dëgjojë personalisht, duke u lutur me të, predikuesi
duhet të dijë të dëgjojë edhe popullin e Hyjit: “Një predikues është kundrues i Fjalës
dhe kundrues i popullit” (n.154). Mesazhi biblik duhet të prekë rrethanat njerëzore,
të cilat duhen njohur, për t’i folur popullit të Hyjit jo me diplomaci, as me demagogji,
por me kujdesim baritor. Për të njohur popullin, predikuesi duhet të ketë përvojë
në marrëdhëniet me njerëzit. Duhet të ketë provuar gëzimin e një njohjeje të re dhe
zhgënjimet, frikën nga vetmia dhe keqardhjen për dhimbjet e të tjerëve. Fjala
e Zotit është shumë konkrete, por jo banale, prandaj, shkruan Papa “duhet të kujtojmë
se nuk duhet t’u përgjigjemi asnjëherë pyetjeve që nuk i shtron askush; as nuk është
e përshtatshme të bësh kronikën e ngjarjeve të ditës, për të ngjallur interes. Për
këtë gjë, janë programet televizive” (n.155). Predikuesi nuk duhet të jetë i cekët,
edhe pse ky rrezik ekziston, sepse “nganjëherë disa njerëz kënaqen, nëse dëgjojnë
në predikim komente mbi realitetin, por nuk është se, për këtë arsye, preken personalisht”
(n.155). Në fund të këtij kapitulli kushtuar rëndësisë së predikimit në meshë,
pasi ka folur për përgatitjen, përmbajtjen dhe formën e predikimit, Papa flet edhe
për instrumentet pedagogjike të përçimit të tij: “Edhe kujdesi për modalitetin e predikimit
është një sjellje thellësisht shpirtërore” (n.156) – shkruan. Njëra ndër vërejtjet
e para që bën është ajo mbi shkurtësinë e predikimit, për të cilën citon librin e
Sirakut, ku thuhet “Përmblidhe fjalimin. Shumë gjëra, me pak fjalë” (Sir 32.8). Pastaj
Papa thekson se është i rëndësishëm përdorimi i shembujve: “shembujt ndihmojnë për
vlerësimin dhe pranimin e mesazhit që dëshirojmë të përçojmë” (n. 157), prandaj –
shkruan – “një homeli e mirë, siç më thoshte një mësues i vjetër, duhet të përmbajë
‘një ide, një ndjenjë, një shembull’” (n.157). Predikuesi duhet të kujdeset për
gjuhën me të cilën flet. Ajo duhet të jetë “gjuha që kuptojnë dëgjuesit, që të mos
rrezikojë të flasë kot” (n.158). Ka fjalë që përdoren në teologji e në katekizëm,
por që nuk bëjnë pjesë në gjuhën e përditshme të njerëzve që na dëgjojnë. “Rreziku
më i madh për një predikues është kur mësohet me gjuhën e vet dhe mendon se të gjithë
të tjerët e përdorin dhe e kuptojnë vetvetiu” (n.158). Predikimi duhet të jetë i thjeshtë,
por edhe i qartë. Thjeshtësia nuk mjafton, që njerëzit të kuptojnë dhe qartësia realizohet
nëse ruhet njësia e temës gjatë predikimit dhe nëse fjalitë kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Papa Françesku i përfundon porositë për predikimin, duke folur për rëndësinë e
gjuhës pozitive. Gjuha është pozitive kur “nuk thotë aq shumë çfarë nuk duhet të bëjmë,
por çfarë mund të përmirësojmë” (n.159). Qarja, vajtimi, kritikat duhet t’ia lënë
vendin propozimit të gjërave pozitive, që e orientojnë shpresën drejt të ardhmes e
nuk na lënë në skllavërinë e negativitetit. Në mbyllje të këtij kapitulli, Papa
shpreh një dëshirë: “Sa mirë, sikur meshtarët, diakonët e laikët të mblidheshin herë
pas here, për të gjetur së bashku instrumentet që e bëjnë më tërheqës predikimin!”
(n.159).