Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, imzot Frano Gjini
Ditën e dytë të Kreshmëve, ecim përkrah Imzot Frano Gjinit. Na kujton se
“Lidhja e lashtë, nuk u këput” njëherësh me jetën e Ipeshkvit martir
Imzot Frano
Gjini (Shkodër 20. 02. 1886- Shkodër, 11.03.1948) ipeshkëv, martirizimi i të cilit
ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: qëndroi i papërkulur para torturave, sepse
nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars
1948. Lidhja e lashtë, nuk u këput Burri i veshur me veladon të zi,
plot me njolla gjaku, mezi lëvizte mbi një grumbull kashte, ku e flaknin ditë për
ditë pas torturave. E mundonin fort, po jo aq sa të vdiste. Ai u duhej i gjallë… Duhet
të bindej, më në fund! Ta këpuste fijen, që zhdridhej trojeve arbërore, që në kohën
kur i pati shkelur Shën Pali Apostull. Kohë apostullore... Duhej coptuar hallka, që
i lidhte trojet arbërore me pasardhësin e Shën Pjetrit. E hallka ishte pikërisht burri
me veladon të gjakosur. Njeri i mësuar, e dinte mirëfilli historinë e kësaj lidhjeje.
Veshur me veladonin e zi, që në vend të shiritave të kuq, prej stofe, stolisej me
riga gjaku të freskët, ai kishte vendosur të qëndronte usque ad sanguinis effusionem
(deri në pikën e fundit të gjakut) për ta ruajtur të pakëputur lidhjen, që ia kishin
besuar e që u kishte bërë ballë shekujve. E, për të harruar sadopak dhimbjet e
tmerrshme, që i shkaktonin plagët, rishkruante në kujtesë, faqet e asaj historie,
që ata donin ta shlyenin me çdo kusht. Nëpërmjet dorës së tij. E ai, aty, në qeli,
nuk mund të mos kujtonte se veprimtaria e diplomacisë papnore në trojet ilire dokumentohet
qysh prej vitit 519, kur legatët e papëve, të dërguar pranë perandorit dardan Justini
për t’i dhënë fund grindjeve, kalonin nepër Epir, duke siguruar mbështetjen e ipeshkvijve.
Në këtë diplomaci, që me themelimin e Selisë Apostolike, nisën të shërbejnë diplomatë
të të gjitha rangjeve, deri në shekullin XV, kur nisi epopeja e Skënderbeut. Dokumentet
e para, që flasin për praninë e Nuncave Apostolikë pranë Skanderbeut i kujtonin Papën
Nikolla V që, me brevën “Cum te ad parles”, të 19 qershorit 1447, emëronte Nunc të
tij françeskanin Fra Antoni prej Olivetit dhe e niste te Gjergj Kastrioti, per të
forcuar besimtarët në fe e për të nxitur botën e krishterë t’i vinte në ndihmë atij
Kreshniku. Njiherësh i jepte tagre të mëdha si atij, ashtu edhe Françeskanve të Shqipërisë,
për gjithçka kërkonte interesi i Fesë. Pastaj, edhe nuncat e tjerë papnorë: Fra Eugen
Suma e Fra Gjoni de Pralo, atë mision patën: “T’i përforconin të krishterët në fe
e t’i nxitnin në luftën kundër turkut”. Histori më vete, kjo, e ngarkuar me takime,
kërkesa për ndihmë, premtime, që përmblidhet në libra të veçantë. E kjo, deri në kohën
kur mbarë trojet shqiptare ranë në dorë të turkut. Kuptohet se pas pushtimit turk
të Shqipërisë, nuk mund të bëhet fjalë për marrëdhënie, të rregullta a të parregullta,
diplomatike ndërmjet shqiptarëve e papatit, në ndeshje për jetë a vdekje me osmanllinjtë.
Filli i këputur i këtyre marrëdhënieve nisi të lidhet rishtas, vetëm pas themelimit
të shtetit shqiptar, me delegatin e parë apostolik, imzot Ernest Koci, për të vijuar
me imzot Giovanni Battista della Pietra SJ, imzot Ildebrando Antoniutti e, së fundit,
imzot Leone G.B. Nigris. Pikërisht imzot Nigris i kishte kumtuar se duhej ta zëvendësonte
si delegat apostolik në trojet, prej nga, në vitin 1945, e kishin dëbuar si i padëshiruar.
Ishte i pari shqiptar, që përfaqësonte diplomacinë papnore në Shqipëri. Në një kohë
kur ky mision paguhej me jetë! Çdo martirizim ka kufirin e vet, por martirizimi i
imzot Gjinit, kaloi çdo cak njerëzor. Pas 16 muaj torturash të pashembullta, zbatuar
me gjakftohtësinë e kriminelit, e mbështetën, gjysëm të vdekur, pas murit e plotoni
shkrehu armët, që ia këputën jetën. Po lidhja me Selinë Apostolike nuk u këput…. Hyri
nën dhe, së bashku me Kishën e Heshtimit. Vendi i ipeshkvit martir mbeti bosh vetëm
për 50 vjet. Po ç’janë 50 vjet në historinë dymijëvjeçare të Kishës, që nisi përsëri
në Shqipëri diplomatët e saj, për të rindërtuar Kishën e shembur, e shpirtin e rrënuar
të popullit shqiptar. Imzot Ivan Diaz (1993-1997), imzot Giovanni Bulaitis (1997-2008),
imzot Ramiro Moliner Inglés (2008- )... Lidhja vijon!