2014-03-05 17:46:34

Shenja e Kryqit


Dëshmi
“Bijtë tuaj, fëmijët tuaj, a dinë ta bëjnë shenjën e kryqit?”. Kjo pyetje, që u drejtoi Papa besimtarëve, gjatë audiencës së përgjithshme, na nxiti të meditojmë për një ngjarje vërtet prekëse. Që ndodhi në kohën kur në Shqipërinë e shpallur ateiste, shenja e kryqit ishte e ndaluar rreptësisht. Deri në atë masë, sa të hapte derën e burgut. Vendi kishte mbetur pa kryq e pa Kishë: pa kryq në ballë, në qafa, në jaka, në banesa. E megjithatë kryqi ishte aty. Nuk mundën ta zhduknin, falë pikërisht prindërve, kthyer në katekistë katakombesh.
Fjalët e Papës na kujtojnë sot një dëshmi, të jetuar nga atë Leon Kabashi, françeskan shqiptar:
“Frati-piktor në kohën e komunizmit u detyrua të punonte si hamall rrugësh. E, në pushimet e shkurtëra, ulej ndokund e hante një kafshatë buke, marrë nga shtëpia, përgatitur me kujdes nga motra plakë, Roza, engjëlli i tij i rojës. Në një nga këto pushime, ulur mbi një gur, rrethuar, si zakonisht, nga fëmijët e mëhallës, sepse njeri tejet i butë e i shkueshëm, nxori bukën dhe e vuri në prehër. Para se ta thyente, çoi dorën dhe bëri një kryq gati-gati të padukshëm. Në një kohë kur rreziku mund të kishte edhe pamjen e një fëmije.
Njëri nga camërllokët, që luanin rreth tij, e pa, iu afrua e i tha:
“Axhë, s’po dike si bahet sheji i kryqit! Në se don me e ba, bane si duhet!”. E çoi dorën e njomë në ballë, në të dy krahët e pastaj në zemër. Në sa shqiptonte me plot gojën: “Në emën të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Ferishtja po e mësonte Fratin si bëhet shenja e kryqit! Ia kishin mësuar prindërit, kur kjo shenjë ringjalljeje, të çonte në vdekje. Për të rilindur, pastaj, pa mort.
“Po bijtë tuaj, fëmijët tuaj, që sot janë të lirë, a dinë ta bëjnë shenjën e kryqit? Dinë ta thonë Atynën? FalemiMrinë?”, na pyeti sot Papa. Duke na ftuar t’ia japim përgjigjen zemrave tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.