Kreshmët me 40 martirët shqiptarë, procesi i lumnimit të të cilëve vijon
Përkujtojmë 40 martirët që, në lule të rinisë, derdhën gjakun për Krishtin në trojet
shqiptare, kryesisht gjatë diktaturës komuniste. U munduan e u mbytën mizorisht nga
shkaku i urrejtjes për Kryqin e Krishtit! Hapja e procesit dioqezan, aq të pritur,
për beatifikimin dhe kanonizimin e tyre, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti
i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe,
gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Dymbëdhjetë vjet më pas,
në sa të krishterët shqiptarë presin ditën fatlume kur do t’i shikojnë në nderimet
e lterit, ne po kujtojmë Emrat e tyre të lumnueshëm:
Imzot Vinçenc Prennushi:
françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi
ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë
të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Fraçesku,
bir të cilit ishte!
Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit
ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi
ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.
Imzot
Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë
e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora
në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën
për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.
Dom Alfons Tracki: prifti gjerman,
më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor
1946, në moshën 50 vjeçe.
Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore,
vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu
dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën
29 vjeçare.
Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot
Prennushit, meshtar jashtzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e
u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste
ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.
Dom Dedë Maçaj: i akuzuar
si spijun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij
heroike fetare, në moshën 27 vjeç.
Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar
në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin
e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës
më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.
Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital
më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave
mizore.
Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse
ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.
Dom
Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë:
pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.
Papa
Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për
së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.
Dom
Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: "Des i
lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit".
Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë
e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë
ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që s'munguan ta bënin në fushat e shkreta të
Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.
Dom Lekë Sirdani: personalitet
i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u
mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.
Dom Luigj Prendushi:
u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.
Dom
Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer
të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak
në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.
Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u
shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.
Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht
e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili
e dënoi me vdekje.
Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i
shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: "Vetëm kur dola
në gjyq e mora vesht pse isha arrestue".
Dom Ndre Zadeja: prift e poet,
pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës
komuniste.
Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi
gropën e ujërave të zeza.
Dom Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para
banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar
për këtë, furrat e bukës.
Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh,
do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë.
Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve,
mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare,
pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.
Atë Çiprian Nika:
françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e
Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.
Atë Gaspër Suma:
rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947
dhe vdiq në burg.
Atë Gjon Shllaku: frati i madh filozof, u pushkatua
së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si
dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik.
U akuzuan për "tentativë arratisjeje" dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që
të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën "Martir i Demokracisë".
Atë
Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në
ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954.
Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.
Atë
Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq
dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi
"gjyq" komunist. Nuk i dihet as varri.
Atë Serafin Koda: frat françeskan;
dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia
shqyen fytin me thonj.
Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër
të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.
Fran
Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u
vranë pse deshën Krishtin. Rishtarja stigmatine Maria Tuci:
u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop.
Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.
At Luigj
Paliqi dhe dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë, që i takojnë kohës para komunizmit.
Atë Luigj Paliqi u vra me atentat nga serbët, ndërsa dom Gjon Gazulli u var
nga Zogu në një shesh të Shkodrës në vitin 1927.