Vilat e Kopshtet papnore në Kastelgandolfo hapen për publikun
Kush nuk ka dëshirë të ecë, të paktën një herë në jetë, në gjurmët e lëna nga papët
e të gjitha kohrave, në kopshtijet e në udhët që kanë shkelur, të ndalet pranë një
shatërvani a një shtatoreje, të ulet në një stol, ku një papë është ulur para tij?
I tillë është ai vend i mrekullueshëm e sekret, që sheh kah liqeni i Kastelgandolfos,
ku shkëlqimi i artit dhe lavdia e natyrës bashkëjetojnë në një ekuilibër plot harmoni.
Duhej një Papë si Françesku, që kjo ëndërr të bëhet realitet. Ati i Shenjtë vendosi
të hapë dyert e Vilave e të Kopshteve papnore në Kastelgandolfo, rezidenca verore
e Papëve. Që nga 1 marsi, shtegtarët e turistët mund të kapërcejnë këtë prag për të
admiruar Kopshtin e famshëm Barberini, më pak i njohur se pjesët e tjera, të cilat
do të bëhen të vizitueshme më vonë. Kush hyn në Vilat papnore mund të mahnitet me
komplekset sugjestionuese arkeologjike e natyrore. Që nga Kopshti i Manjolës, në Udhën
e Trëndafilave, që nga Udha e Bimëve aromatike në atë të Zambakëve të ujit , nga Sheshi
i lisave në Kopshtin e Panoramës. Vilat papnore janë ndërtesa të ngritura në
një zonë prej 55 hektarësh, pranë Romës. Konsiderohen territor i Selisë së Shenjtë,
dhënë Vatikanit me Paktet e Lateranit të vitit 1929. Aty Papët kanë shkuar për verim
që nga koha e Urbanit VIII. Në zonën e Villës Barberini ngrihej dikur vila e Perandorit
Domician, prandaj vizitori mund të ndalet pranë rrënojave të Teatrit perandorak e
të zbulojë kriptoportikun madhështor e romantik, i denjë për një kapriçio të arkitektit
të shquar italian Piranezi. Kur del në sheshin Kuadrat dhe në kopshtet e Belvederes,
vështrimi kap krejt Lacion, deri në vijën e kaltërt të detit. Papa Françesku nuk mund
t’u bënte njerëzve një dhuratë më të bukur se kjo, në fillimin e pranverës 2014.