2014-03-03 14:44:02

Thirrje e ipeshkvit të Odesës për paqen në Krime


Dramatike, letra që ipeshkvi i Odesa-Simferopolit, imzot Bronislav Biernacki, i drejton gjithë botës. “Ndërsa bota mbarë po e shikon me ankth të madh gjendjen në Ukrainë - shkruan ipeshkvi - edhe Kisha Katolike është thellësisht e shqetësuar për zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë, i cili tani, është një hap larg luftës së hapur, që mund të përfshijë një zonë edhe më të madhe në rajon. Duke qenë ipeshkëv i dioqezës së Odesa-Simferopolit, një pjesë e së cilës ndodhet në Republikën Autonome të Krimesë, më duhet të shpreh trishtimin tim të madh për ç’po ndodh në dioqezë. Si katolikë, kërkojmë paqe e dialog. E kuptojmë se çdo komb ka të drejtë të vetëvendosë për të ardhmen e vet. E kuptojmë se të gjitha ndryshimet politike duhet të bëhen pa ndikime nga jashtë. Por duke parë se ky rregull ndërkombëtar veprimi nuk respektohet, u bëjmë thirrje të gjitha kombeve të botës të punojnë së bashku me Ukrainën për të na ndihmuar të rikthejmë paqen e mirëkuptimin ndërmjet palëve në konflikt”. Ipeshkvi u kërkon të gjithëve t’i luten Zotit të paqes, që Ai i Lumi të ketë mëshirë për ukrainasit e t’u japë pajtimin e dëshiruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.