2014-03-03 14:43:47

Papa me ipeshkvijtë spanjollë: familja e krishterë është ungjillëzuese e çmueshme


“Një Kishë “përherë misionare”, sepse Ungjilli duhet kumtuar me guxim e pa ndërprerje. Këtë u kërkon Papa ipeshkvijve spanjollë, të cilët i priti sot paradite, në vizitën ad Limina. Papa ua dorëzoi fjalimin ipeshkvijve dhe u shprehu urimet për asamblenë plenare që konferencës ipeshkvore spanjolle, që do të mbahet javën e ardhshme.
Ipeshkvi të mos ndjehet vetëm, as të mos mendojë se është vetëm, e, mbi të gjitha, të mos harrojë kurrë se “grigja, që i është besuar, është e ndjeshme ndaj gjërave të Hyjit”. Drejt kësaj vetëdijeje i orienton Papa ipeshkvijtë spanjollë, bij të një tokë – vëren në fillim të fjalimit – që ka nxjerrë shenjtër të mëdhenj, ndërsa tani vuan nga “indiferenca e shumë të pagëzuarve”, që janë “bij të një kulture mondane, e cila e mbyll Hyjin në jetën private dhe e përjashton nga rrafshi publik”. Por këtu, thekson Papa, gjendet forca e Shpirtit të Shenjtë, që vijon të mbjellë hiret e veta. Juve ipeshkvijve, shkruan Ati i Shenjtë, “ju besohet detyra t’i bëni të mbijnë këto fara, duke shpallur me guxim e vërtetësi Ungjillin; të ndiqni me vëmendje rritjen e tyre, duke dhënë shembullin tuaj, duke edukuar dhe duke u gjetur pranë; dhe t’i harmonizoni brenda tërësisë së ‘vreshtit të Zotit’ nga i cili askush nuk mund të përjashtohet”.
Si gjithmonë në këtë lloj takimesh, vështrimi i Papës përfshin tërë realitetin kombëtar dhe kishtar të një vendi. Prandaj, shkruan Papa, duhet të jeni të aftë “t’i dëgjoni të gjithë me ëmbëlsi e mëshirë dhe të kërkoni çfarë me të vërtetë sjell bashkim dhe shërben për rritjen e ndërsjellë”. Në një kohë kur “vështirësitë për përçimin e fesë nuk mungojnë”, Papa Françesku i nxit ipeshkvijtë spanjollë t’i vënë bashkësitë e tyre kishtare në një “gjendje të përhershme misioni”, duke u kujdesur për të largëtit dhe për të vegjlit. Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar hyrjes në jetën e krishterë, duke mbajtur parasysh se feja “nuk është vetëm trashëgimi kulturore”, por "dhuratë, që lind nga takimi personal me Jezusin”.
Papa Françesku u kërkon ipeshkvijve t’u rrinë afër meshtarëve, seminaristëve – për të cilët uron të gjenden ‘formatorë të mirë’ dhe ‘profesorë kompetentë’ – dhe veçanërisht familjeve. “Një familje e ungjillëzuar – pohon Papa – është një burim i çmueshëm i ungjillëzimit, mbi të gjitha sepse rrezaton mrekullitë që Hyji ka bërë brenda saj. Për më tepër, duke qenë nga natyra vendi i bujarisë, do të ngjallë lindjen e thirrjeve për të ndjekur Zotin në meshtari dhe në jetën rregulltare” - përfundon Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.