2014-03-03 14:05:59

Papa Françesku: të lutemi që Zoti të na dërgojë priftërinj e murgesha, të lirë nga idhujtaria e kotësisë, pushtetit, parasë


Ta lusim Zotin për thirrje. Ta lusim të na dërgojë priftërinj e murgesha, që ia kushtojnë vetëm Atij zemrën, të lirë nga idhujtaria e kotësisë, pushtetit, parasë. Është ftesa e Papës sot, gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Ungjilli i djaloshit të pasur, që gjunjëzohet para Jezusit për ta pyetur ç’duhet të bëjë për të trashëguar jetën e pasosur, ishte në qendër të homelisë së Papës Françesku. Ky i ri, nëvizoi Papa, kishte dëshirë të zjarrtë t’i dëgjonte fjalët e Jezusit. Ishte njeri i mirë. Që në rini të parë, kishte jetuar sipas Urdhërimeve të Tënzot. I mirë, pra, po kjo nuk i mjaftonte: donte diçka më shumë. Shpirti i Zotit e nxiste në kërkim. Jezusi e shikon me dashuri e i bën propozimin: “Shit gjithë ç’ke pas shpirtit, eja pas meje e prediko Ungjillin”. Po ai, kur i dëgjoi këto fjalë, u nxi në fytyrë e iku e shkoi shpirtngrysur, sepse kishte shumë pasuri:
Zemra e tij e shqetë, pikërisht sepse Shpirti i Shenjtë e nxiste t’i afrohej Jezusit e ta ndiqte, ishte zemër e mbushur plot, e ai nuk mori guximin ta zbrazë. E zgjodhi: paratë. Zgjodhi zemrën e mbushur plot me para. Po nuk ishte hajdut, kriminel, jo, jo, jo! Ishte njeri i mirë: nuk kishte vjedhur kurrë. Kurrë nuk kishte mashtruar kënd: paratë e tij ishin të ndershme. Por zemrën e kishte të burgosur aty, të lidhur me paratë e nuk mund të zgjidhte lirisht. Në vend që të zgjidhte ai, zgjodhën paratë për të”.
Sa të rinj, vijoi Papa Françesku, e ndjejnë në shpirt thirrjen për t’iu afruar Jezusit, e janë tejet entuziastë. Nuk kanë turp të gjunjëzohen para Tij, ta dëshmojnë publikisht besimin e tyre në Krishtin. E duan edhe ta ndjekin, por, kur e kanë zemrën plot me gjëra të tjera e nuk janë aq guximtarë sa ta zbrazin, kthehen mbrapsht, e gëzimi i tyre shndërrohet në trishtim. Edhe sot shumë të rinj ndjejnë thirrjen, por nganjëherë del diçka, që i pengon:
“Duhet të lutemi, që zemra e këtyre të rinjve të zbrazet. Të pastrohet nga interesat, nga dashuritë e tjera, të bëhet zemër krejt e lirë. ‘O Zot, dërgona, motra e priftërinj, mbroji nga idhujtaria e kotësisë, nga idhujtaria e vetëmburrjes, idhujtaria e pushtetit, idhujtaria e parasë’. Të lutemi, që këto zemra të përgatiten për ta ndjekur nga afër Jezusin”.
I riu i Ungjillit të sotëm, pohoi Papa, njeri shumë i mirë, bëhet shumë i mjerë. Ka shumë të rinj të tillë, sot. Prandaj duhet t’i lartojmë Zotit një lutje të dalë nga e gjithë zemra:“Është lutja: ‘Ndihmoji, o Zot, këta të rinj, të jenë të lirë, jo skllevër; ndihmoi ta kenë zemrën vetëm për Ty, e kështu thirrja jote të zbresë në zemrat e tyre e të japë fryt’. E kjo është lutja për thirrje meshtarake e rregulltare. Duhet të lutemi shumë. E të jemi gjithnjë të vëmendshëm: thirrjet janë. Duhet t’i ndihmojmë të rriten, të lutemi, që Zoti të hyjë në këto zemra e t’u japë gëzimin e patregueshëm e të lum, të cilin e provon çdo njeri, kur e ndjek nga afër Jezusin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.