2014-03-03 14:06:36

Mesazh i Kreshmëve i Patrikut Bartolomeu I


“Koha e shenjtë e Kreshmëve, që po fillon, na ofrohet, në mes të krizës ekonomike në plan botëror, për të dëshmuar se jemi gati t’i japim ndihmën tonë shpirtërore e materiale të afërmit”. Kështu shkruan Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, në mesazhin drejtuar mbarë botës, me rastin e fillimit të Kreshmëve. Mesazhi, kujton agjencia Sir, përqendrohet i tëri mbi ftesën për kthesë, të vërtetë, vetjake, të zemrës, parë si udhë pa fund kah përsosuria e Hyjit, drejt të cilit duhet të shtegtojmë vazhdimisht. Kthesa, shkruan Patriku, për të qenë e vërtetë, duhet të shoqërohet edhe me fryte, posaçërisht me faljen e të afërmit e me vepra të mira ndaj tij. Kthesa kalon nëpër një zemër, që nuk mund ta durojë më asnjë mllef; kthesa kalon nëpërmjet lutjes me gjithë shpirt, ditë për ditë. Kthesa kalon përmes dashurisë për të gjithë; përmes luftës të së keqes me të mirë e fitores së plotë të pajtimit, mbi urrejtjen. Kthesë do të thotë të rrish larg lavdisë së kotë, larg dëshirës për të ngjitur shkallët e pushtetit. Çdo këmbë e kësaj shkalle, shkruan Patriku, çon vetëm në vdekje. Të kthehesh në rrugën e Zotit, do të thotë të bësh mirë, të kalosh nga mënyra farizeike e individuale e përballimit të jetës, në mënyrën kolegjiale të bamirësisë së vërtetë. “Ja pra, o vëllezër e bij, hapet para nesh, përfundon Patriku, një kohë, që na fton për pendesë, lutje, agjërim, për lartimin e shpirtit tonë kah Zoti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.