2014-03-01 16:54:15

Audienca e Papës Françesku me kryeministrin rumun, Viktor Ponta


Bashkëpunimi i dobishëm ndërmjet Republikës së Rumanisë dhe Selisë së Shenjtë mbi temat e familjes, të edukimit, të lirisë fetare e të mbrojtjes së vlerave të përbashkëta. Këto ishin temat, rreth të cilave u fol sot paradite, gjatë takimit të Papës Françesku me kryeministrin rumun, Viktor Ponta, që u prit në audiencë, në Vatikan. “Pasi u vu në dukje potenciali i Kishës katolike në shërbim të së mirës së përbashkët të mbarë shoqërisë, lexohet në një notë zyrtare, u prekën edhe disa çështje të hapura, që kanë të bëjnë me bashkësinë katolike në Rumani”. Në përfundim, u shkëmbyen mendime lidhur me situatën e sotme ndërkombëtare, me urimin të ecet në rrugën e dialogut e të bisedimeve, për t’i dhënë fund konflikteve të shumta, që trondisin botën.
Pas audiencës me Papën Françesku, të cilit i solli përshëndetjet e Patrikut ortodoks Daniel, kryeministri rumun bisedoi edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe me kryeipeshkvin Dominik Mambertì, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.