2014-02-28 15:03:35

Papa: t’i shoqërojmë e jo t’i dënojmë ata, që provojnë dështimin e dashurisë


“Pas kazuistikës fshihet gjithnjë kurthi kundër nesh e kundër Zotit”. Këtë pohoi sot Papa, duke komentuar Ungjillin e ditës. U ndalua, pastaj, tek bukuria e martesës duke vërejtur se duhen shoqëruar, jo dënuar, ata që provojnë dështimin e dashurisë. Prej këndej, pohoi se Krishti është Dhëndër i Kishës e prandaj nuk mund të kuptohet njëri pa tjetrën.

Doktorët e ligjit përpiqen t’i ngrejnë kurthe Jezusit, për t’i hequr autoritetin moral. Papa Françesku e mori shtytjen nga Ungjilli i sotëm, për t’ia kushtuar katekizmin bukurisë së martesës. Farizenjtë, kujtoi, e pyesin Jezusin për problemin e divorcit. Stili i tyre, vërejti, është gjithnjë i njëjtë: kazuistika. “Është e lejueshme kjo, apo jo!”:
“Gjithnjë rasti i vogël. E ky është kurthi: pas kazuistikës, pas mendimit kazuistik, gjithnjë ka një kurth. Gjithnjë! Kundër njerëzve, kundër nesh e kundër Zotit; gjithnjë! ‘Është e drejtë kjo? E drejtë ta lëshosh gruan tënde? Ta ndash?’. E Jezusi përgjigjet, duke i pyetur ata për ligjin e duke u shpjeguar pse Moisiu e bëri kështu. Por nuk ndalohet aty: nga kazuistika shkon në qendër të problemit, e pikërisht në ditët Krijimit. Është tejet i bukur ky nënvizim i Zotit: ‘Që nga fillimi i Krijimit, Zoti bëri mashkullin e femrën; prej këndej, burri do të lërë atin e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e tij e të dy do të bëhen një korp i vetëm. Kështu nuk janë më dy vetë, po një mish e një gjak i vetëm”.
Zoti, vijoi Papa, bën fjalë për kryeveprën e Krijimit: burrin e gruan. Ai i Lumi, shpjegoi Ati i Shenjtë, nuk deshi ta linte burrin vetëm fill, deshi ta shikojë me shoqen përkrah. Tejet poetik çasti, kur Adami takohet me Evën: “Është fillimi i dashurisë: shkoni bashkë si një trup i vetëm!”.
Zoti, pohoi Ati i Shenjtë, e merr gjithnjë mendimin kazuistik dhe e çon në fillimin e zbulesës. Nga ana tjetër, shpjegoi, kjo kryevepër e Zotit nuk përfundon në ditët e krijimit, sepse Zoti e zgjodhi këtë ikonë për të shpjeguar dashurinë, që ka ai vetë për popullin e Tij. Deri në atë pikë, sa edhe edhe kur populli nuk është besnik, Zoti vijon t’i flasë fjalë dashurie:
Zoti e merr këtë dashuri nga kryevepra e Krijimit, për të shpjeguar dashurinë që ka për popullin e vet. E një hap më tej: kur populli ka nevojë për t’ia shpjeguar misterin e Krishtit, e bën këtë lidhur me Nusen: sepse Krishti është i martuar. Krishti ishte i martuar. Qe martuar me Kishën, me popullin e vet. Ashtu si Ati ishte i martuar me popullin e Izraelit, Krishti u martua me popullin e vet. Kjo është historia e dashurisë, kjo, historia e kryeveprës së Krijimit! E para kësaj udhe të dashurisë, kësaj ikone, kazuistika bie poshtë e bëhet dhimbje. Por kur kjo lënie e atit dhe e nënës, ky bashkim me një grua, kjo shkrirje në një gjë të vetme, kjo ecje përpara e kjo dashuri dështon, sepse shumë herë edhe dështon, duhet ta ndjejmë dhimbjen e dështimit, t’i shoqërojmë këta njerëz, që provuan dështimin e dashurisë. Nuk duhet t’i dënojmë! Duhet të ecim me ta! E të mos e bëjmë kazuistikë, gjendjen e tyre”.
Kur ndokush e lexon këtë, vijoi të reflektojë Papa, mendon për këtë plan dashurie, këtë udhë dashurie të krishterë, që Zoti e bekoi në kryeveprën e Krijimit të Tij. Bekim, vërejti Papa, që mbeti i tillë përgjithmonë. As mëkati i rrjedhshëm nuk mundi ta shkatërronte. Kur ndokush mendon për këtë, pra, shikon sa e bukur është dashuria, sa e bukur martesa, sa e bukur familja, sa i bukur ky shtegtim e sa duhet t’i duam e t’i mbajmë afër këta vëllezër e këto motra, që kanë fatin e keq të provojnë dështimin e dashurisë.
Duke kujtuar, në përfundim, Shën Palin, Papa Françesku nënvizoi bukurinë e dashurisë së Krishtit për nusen e vet, Kishën:
“Edhe këtu duhet t’i hapim mirë sytë, që të mos dështojë dashuria! Të mos flasim për një Krisht tepër të vetëm: Krishti u martua me Kishën! E nuk mund të kuptohet Krishti pa Kishën e as Kisha pa Krishtin. Ky është misteri i madh i kryeveprës së Krijimit! Zoti na dhëntë të gjithëve hirin ta kuptojmë e edhe hirin të mos biem kurrë në kurthet e farizenjve, të doktorëve të ligjit”.










All the contents on this site are copyrighted ©.