2014-02-28 17:37:05

Orët e fundit të papnisë së Benediktit XVI: kaloi një vit


“Jam thjesht shtegtar, që nis etapën e fundit të shtegtimit të tij mbi tokë”. Kështu, më 28 shkurtin e vitit të kaluar, përshëndeste botën Benedikti XVI, kur, në orën 8 të mbrëmjes, i jepte fund papnisë së tij.
Sa mund të zgjasin pesë minuta? Pesë minuta për të thënë atë “faleminderit”, që zemrat e dëgjuesve e kuptuan si lamtumirë, megjithëse shpirti i atij që fliste e dinte se ishte vetëm një “mirupafshim”, pavarësisht se nuk dihej në ç’të nesërme. Ato pesë minuta, që Benedikti VI i përdori për të përshëndetur kardinajtë, me një fill zë, mëngjesin e ditës së fundit të papnisë, në të vërtetë, nuk kanë kaluar. Akrepat e kujtesës janë më të ngadalshëm se ato të orës dhe e vjedhin kohën, kur çasti e meriton të mbetet përgjithmonë:
“Do të vazhdoj t’ju qëndroj pranë me lutje, sidomos në ditët e ardhshme, që ta lini plotësisht Shpirtin e Shenjtë të veprojë e t’ju udhëheqë në zgjedhjen e Papës së ri. Zoti ju tregoftë atë, që e do vërtet. Ndërmjet jush, në Kolegjin kardinalor, është edhe Papa i ardhshëm, të cilit, që tani, i premtoj nderimin dhe bindjen time pa kushte”.
Ndër 144 kardinajtë në Sallën Klementine, dëshmitarë të kësaj thjeshtësie plot emocion, është edhe kardinali i Buenos Ajresit, Horhe Mario Bergolio, Papa Françesku i vetëm 13 ditëve më pas. Vetëm disa sekonda për të përshëndetur Benediktin, me ngrohtësinë që tashmë ia njeh gjithë bota. Disa sekonda, pas “vetëm” pesë minutave. Edhe ato, të fiksuara në imazhe. Historia më e gjatë kishtare, që zgjat “vetëm” pesë minuta e disa sekonda, “vetëm” një ditë, që ende nuk ka përfunduar. Ora 8 e mbrëmjes, Kastelgandolfo:
“Me gjithë zemër, me dashurinë e me lutjen time, me reflektimin e me të gjitha forcat e mia të brendshme do të doja të punoja akoma për të mirën e përbashkët e për të mirën e Kishës e të njerëzimit… Të ecim përpara me Zotin për të mirën e Kishës e të botës…Na bekoftë Hyji i gjithpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti i Shenjtë. Faleminderit, natën e mirë! Faleminderit të gjithëve!”








All the contents on this site are copyrighted ©.