2014-02-28 14:33:36

Kongregata për Kishat Lindore mbështet mbledhjen tradicionale të lëmoshës për Tokën e Shenjtë


Kongregata për Kishat Lindore, duke iu përgjigjur thirrjes që ka bërë disa herë Papa Françesku, “i fton Kishat vendore të të gjithë botës, ta shprehin në mënyrë të veçantë afërsinë shpirtërore e materiale me të krishterët, që jetojnë në Tokën e Shenjtë e në Lindjen e Mesme”. Më 21 nëntor të vitit të kaluar – thuhet në një komunikatë – gjatë pritjes me asamblenë plenare të kësaj kongregate, Ati i Shenjtë vërejti se “Siria, Iraku, Egjipti dhe zonat e tjera të Tokës së Shenjtë, herë pas here pikojnë lot” dhe shtoi se “ipeshkvi i Romës nuk do të ketë qetësi për sa kohë do të ketë gra e burra, të çfarëdo feje, të prekur në dinjitetin e tyre, të lënë pa gjërat e domosdoshme për jetesë, të cilëve u është vjedhur e ardhmja e janë të detyruar të arratisen e të kërkojnë strehim”.
Mbledhja e përvitshme e lëmoshës për Tokën e Shenjtë – thotë komunikata – “duhet përkrahur me më shumë bujari nga barinjtë dhe besimtarët e mbarë bashkësisë katolike”. Kardinali prefekt Leonardo Sandri ka bërë gati për të gjithë ipeshkvijtë letrën tradicionale, për të kujtuar “rëndësinë e kësaj nisme, me qëllim që të Premten e Madhe, sikurse sugjerojnë Papët, ose në ndonjë rrethanë tjetër të përshtatshme, të theksohet detyra e lutjes për motrat dhe vëllezërit e Tokës së Shenjtë dhe ajo e ndihmës konkrete. Ipeshkvijtë do të njoftohen për projektet kryesore, që kanë realizuar Kongregata dhe Rojtaria e Tokës së Shenjtë në vitin 2013 në fushën baritore, arsimore, asistenciale dhe shoqërore. Në këto ndihma bën pjesë edhe projekti për restaurimin e Bazilikës së Lindjes së Krishtit, në Betlehem, për të cilin kanë ndihmuar edhe kisha të tjera të krishtera nga disa vende. Vëmendjen më të madhe duhet t’ua kushtojmë gurëve të gjallë. Vendin kryesor, në ndihmat për Tokën e Shenjtë, e zë shkolla katolike, por nuk mungojnë urgjencat e jashtëzakonshme, si refugjatët dhe viktimat e tjera të konflikteve, që herë pas here trokasin në dyert e atyre popullsive.
Në mesazhin e Kreshmëve 2014, Papa lutet që “Shpirti i Shenjtë të na ndihmojë në synimet tona dhe ta forcojë në ne vëmendjen dhe përgjegjësinë kundrejt mjerimit njerëzor, që të bëhemi të mëshirshëm dhe punëtorë të mëshirës”. “Toka e Shenjtë – thotë në përfundim komunikata e Kongregatës për Kishat Lindore – pret veprat tona të mëshirës, për të çuar përpara kumtimin e dashurisë së Hyjit, që ka zgjedhur njerëzimin si familjen e vet. Në këtë mënyrë do ta përgatisim dhe do ta shoqërojmë më së miri shtegtimin e shumëpritur të Papës Françesku në Tokën e Jezusit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.