2014-02-27 15:07:41

Papa me ipeshkvijtë që janë afër me Lëvizjen e Fokolarëve: Kisha, shëmbëlltyrë e bashkësisë


Dashuria njëri-tjetrin “edhe pse me karaktere, prejardhje dhe mosha të ndryshme” është thirrja e Papës për ipeshkvijtë, që ndjekin nga afër Lëvizjen e Fokolarëve, të mbledhur këto ditë në Castel Gandolfo, në takimin e 37-të ndërkombëtar, me temë: “Dashuria e ndërsjellë mes nxënësve të Krishtit”. RealAudioMP3
“Një bashkëjetesë vëllazërore, në të cilën ndahen së bashku përvojat shpirtërore e baritore, në perspektivën e dhuntisë së bashkimit”. I tillë është kuvendi i ipeshkvinjve miq të Lëvizjes së Fokolarëve, sipas fjalëve të Papës Françesku, i cili u kujtoi atyre se janë të thirrur “për të sjellë në këto takime frymëmarrjen e gjerë të Kishës” dhe për ta përdorur në dobi të Kishës atë që marrin në këtë takim.
“Shoqëria e sotme ka një nevojë të madhe për dëshminë e një stili jetese, që nxjerr në pah risinë që na ka dhënë Zoti Jezus: vëllezër që duhen, edhe me karaktere, prejardhje dhe mosha të ndryshme... Kjo dëshmi ngjall dëshirën për t’u përfshirë në shëmbëllimin e madh të bashkësisë, që është Kisha”.
Kur dikush e vëren se “dashuria e ndërsjellë ndërmjet dishepujve të Krishtit” është e mundur dhe “mund ta ndryshojë cilësinë e marrëdhënieve personale”, ndjehet i thirrur “për të zbuluar, ose rizbuluar Krishtin, e pranon takimin me Atë që është i gjallë e veprues, është i nxitur të dalë nga vetja, për të shkuar drejt të tjerëve dhe për të përhapur shpresën, që ka marrë si dhuratë”. Duke u nisur nga letra apostolike Novo millennio ineunte, e të lumit Gjon Pali II, Ati i Shenjtë kujton se “përjetimi i Kishës si shtëpia dhe shkolla e bashkësisë” është me të vërtet i domosdoshëm, nëse duam që ungjillëzimi i ri të jap fryte. Kështu del në dukje “dëshira e thellë për Atin”, vërehet se “të gjithë bijtë e tij jetojnë si vëllezër” dhe realizohet “vullneti zemrës së Krishtit”, që “të gjithë të jenë një gjë e vetme”:
“Kujdesi për përshpirtërinë e bashkësisë ndihmon për t na bërë më të aftë të çojmë përpara ecjen ekumenike dhe dialogun ndërfetar”.
Në këtë perspektivë, Papa Françesku uron që kuvendi i Castel Gandolfo-s “të jetë rasti i volitshëm për t’u rritur në frymën e kolegjialitetit dhe për të gjetur tek dashuria e ndërsjellë motivet e inkurajimit dhe të shpresës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.