Papa: ipeshkvi të jetë dëshmitar i përvuajtur dhe i guximshëm i Krishtit të Ringjallur,
nuk na duhen administratorë
“Kisha ka nevojë për barinj të vërtetë”, që kujdesen për grigjën: kështu u tha Papa
Françesku anëtarëve të Kongregatës për Ipeshkvijtë, me të cilët u takua sot në Vatikan.
Në fjalën e tij plot pasion e mjaft të gjatë, Ati i Shenjtë vuri në dukje hollësisht
kriteret për marrjen e vendimeve. Nuk na duhen administratorë, kritikoi, ipeshkvi
duhet të jetë dëshmitar i përvuajtur dhe i guximshëm i Krishtit të Ringjallur. Kisha
nuk ka nevojë për apologjetë apo për kryqtarë, por për njerëz, që dinë të hedhin farën
e së vërtetës së Ungjillit. Kur nënshkruaj emërimin
e një ipeshkvi, tha Ati i Shenjtë, do të doja ta prek me dorë autoritetin e vendimeve
tuaja. Ky imazh i shërbeu Papës për të nënvizuar punën e shoshitjes, që bën Kongregata
për Ipeshkvijtë, para zgjedhjes së kandidatëve. Ky dikaster, theksoi, ekziston për
t’u siguruar se emri i personit që ka zgjedhur, është shqiptuar më parë nga Zoti.
E më pas përvijoi profilin e ipeshkvit katolik: “…kemi nevojë për dikë, që të
na ruajë nga lart; kemi nevojë për dikë që të na shohë me zemërgjerësinë e Zotit;
nuk na duhet ndonjë ‘menaxher’, ndonjë administrator i deleguar ndërmarrjesh e, as
ndonjë në të njëjtin nivel me mangësitë e me pretendimet tona të vogla. Nevojitet
dikush, që të dijë të ngrihet në lartësinë e vështrimit të Zotit mbi ne, për të na
udhëhequr drejt Atit Qiellor. Vetëm në vështrimin e Zotit ekziston e ardhmja jonë”. Njëkohësisht,
vazhdoi Papa Françesku plot pasion, duhet ta pranojmë se nuk ka një bari, që vlen
për të gjitha Kishat. Duhet t’i shërbejmë Krishtit, duke pasur parasysh veçoritë e
çdo Kishe, sipas vendit. Për të zgjedhur barinj të tillë, të përshtatshëm, nënvizoi
Ati i Shenjtë, kemi nevojë të kapërcejmë preferencat, simpatitë, përkatësitë e prirjet
vetjake, për të hyrë në horizontin më të gjerë të Hyjit. Barinj, që kanë guxim të
flasin me sinqeritet e të mos kushtëzohen nga frika. Por nga mund të shndritet Kongregata
e Ipeshkvijve për zgjedhjen e barinjve të Kishës? Lartësia, ku ndodhet Kisha, tha
Papa, gjendet gjithnjë në themelet e saj më të thella, e nesërmja e Kishës fillon
gjithnjë nga zanafilla e saj. E këtu, është e rëndësishme vazhdimësia nga njëri ipeshkëv
tek tjetri, në mënyrë që njerëzit ta gjejnë të pandryshuar e të pashlyer në Kishë,
hirin e zanafillës. Prandaj, theksoi Papa, kriteri i parë për të përvijuar figurën
e një ipeshkvi është se ai duhet të jetë dëshmitar i Krishtit: “Kush është dëshmitar
i të Ringjallurit? Është ai, që e ka ndjekur Krishtin që në fillim e, së bashku me
Apostujt, bëhet dëshmitar i Ringjalljes. Edhe për ne ky është kriter bashkimi: ipeshkëv
është ai, që di ta bëjë aktuale ç’i ndodhi Jezusit e sidomos, di, së bashku me Kishën,
të bëhet dëshmitar i Ringjalljes së Tij”. Ipeshkvi, vazhdoi Papa, është para
së gjithash, martir i të Ringjallurit. Nuk është dëshmitar i izoluar, por së bashku
me Kishën, jep dëshmi të besueshme për Ringjalljen e Jezusit: “Guximi për të
vdekur, bujaria për të dhënë jetën e për t’u shuar për grigjën janë të shkruara në
ADN-në e episkopatit. Vetëmohimi e flijimi janë të natyrshme në misionin ipeshkvnor.
E këtë dua ta theksoj: vetëmohimi e flijimi janë të natyrshme në misionin ipeshkvnor.
Shërbimi ipeshkvnor nuk është diçka në vetvete, por ekziston për Kishën, për grigjën,
për të tjerët, sidomos për ata, që sipas botës, janë për t’u hedhur”. Për të
gjetur njeriun, që mund ta bëjë mirë punën e ipeshkvit, tha më tej Ati i Shenjtë,
nuk duhet të llogarisim shumën e aftësive të tij njerëzore, intelektuale, kulturore
apo baritore. Natyrisht, na duhet dikush, që dallohet për integritetin, për qëndrueshmërinë
e krishterë, për besnikërinë ndaj Ungjillit, për transparencë e aftësi qeverisjeje.
E megjithatë, nënvizoi Papa argjentinas, këto karakteristika të domosdoshme duhen
vënë në shërbim të dëshmisë për Krishtin e Ringjallur, e cila është qendrore dhe parësore
në jetën e çdo ipeshkvi. Dy janë, sipas Papës, tiparet kryesore të ipeshkvit: “ndërgjegjia
para Zotit dhe impenjimi kolegjial”. Askush s’mund të vendosë i vetëm, tha Ati i Shenjtë: “Është
gjithnjë e domosdoshme të sigurohet sovraniteti i Zotit. Vendimet nuk mund të diktohen
nga pretendimet tona, të kushtëzohen nga ‘skuderì’(grupe), nga klika apo hegjemoni.
Për të garantuar një sovranitet të tillë, ekzistojnë dy sjellje themelore: gjyqi i
ndërgjegjes para Zotit dhe kolegjialiteti”. Ipeshkvijtë duhet të jenë njerëz,
që e mbrojnë doktrinën e krishterë, jo për të matur sa larg nga të vërtetat e saj
jeton bota e sotme, por për ta tërhequr botën me bukurinë e dashurisë, për ta joshur
me ofertën e lirisë, që dhuron Ungjilli: “Kisha nuk ka nevojë për apologjetë
të kauzës së saj, as për kryqtarë për betejat e veta, por për punëtorë të përvuajtur,
që mbjellin me besim të vërtetën, duke e ditur se ajo u dorëzohet gjithnjë atyre e
duke pasur besim të plotë në pushtetin e saj”. Ipeshkvijtë, vazhdoi të përshkruajë
Papa Françesku tiparet e barinjve të Kishës, duhet të jenë plot durim, të bindur se
egjra e keqe nuk do të arrijë kurrë ta mbulojë krejt fushën. Ipeshkvi duhet ta dijë
se të korrat nuk varen vetëm prej tij, por duhet të punojë për të mos përfunduar si
nxënësi, që nuk bën detyrat e shtëpisë e pastaj thërret e bërtet se s’mund të bëhet
më asgjë për të marrë notë të mirë. Gjithashtu, nënvizoi Ati i Shenjtë, ipeshkvijtë
duhet të jenë njerëz të lutjes: “Njeriu që nuk merr guximin të diskutojë me
Zotin, në favor të popullit të vet, nuk mund të jetë ipeshkëv, e këtë e them me zemër,
jam i bindur. E s’mund të jetë as ai, që nuk është i aftë të marrë përsipër misionin
për ta çuar Popullin e Zotit në vendin, që i tregon Zoti”. Kisha, tha akoma
Papa, ka nevojë për barinj të vërtetë, për shërbëtorë të Fjalës së Hyjit. Trashëgimia
e ipeshkvit është shenjtëria e jetës, që duhet përhapur në gjithë Kishën. Duke përmendur
enciklikën “Lumen Gentium”, Papa Françesku vuri theksin në dy fjalë për kujdesin ndaj
grigjës, që u besohet ipeshkvijve. Sipas Atit të Shenjtë ky kujdes duhet të jetë “këmbëngulës
dhe i përditshëm”. Këto dy tipare, nënvizoi Papa, shpesh kuptohen si “rutinë e mërzi”,
duke çuar në tundimin për të ikur, për t’u larguar diku tjetër: “Prandaj, është
e rëndësishme të theksojmë se misioni i ipeshkvit kërkon këmbëngulje dhe vazhdimësi
të përditshme. Grigjës i duhet të gjejë vend në zemrën e Bariut të saj… Nëse ipeshkvi
nuk kapet pas rrënjëve të thella në integritetin e vet, në Krishtin e në Kishën e
Tij, do të përplaset andej e këndej nga valët e kërkesave për kënaqësi kalimtare e
nuk do të dijë ta mbrojë grigjën e vet”. Së fundi, Papa theksoi aktualitetin
e “dekretit të rezidencës” të Koncilit të Trentit, i cili parashikon që çdo ipeshkëv
të qëndrojë e të banojë në dioqezën e vet. Ati i Shenjtë i kërkoi Kongregatës të shkruajë
diçka në këtë drejtim. Ndoshta, e mbylli fjalën Papa, nuk i kërkojmë sa duhet barinjtë,
por “jam i sigurtë se ata ekzistojnë, sepse Zoti nuk e braktis Kishën e vet”.