2014-02-27 13:33:45

Kalendari i kremtimeve të Papës Françesku mars-prill 2014


U bë i njohur sot kalendari i kremtimeve të Papës Françesku për dy muajt e ardhshëm. Fillon Koha e Krezhmëve e që të mërkurën e javës që vjen, më 5 mars, e Mërkura e Përhime, Ati i Shenjtë do të kremtojë “statio”-n e procesionin pendestar në Bazilikën e Shën Anselmit në Romë, ndërsa në orën 17.00, në Bazilikën e shën Sabinës, aty pranë, do të kremtojë Meshën me ritin e bekimit e të përhimjes. Më 9 mars, në të dielën e parë të Krezhmëve, në Ariça, pranë Romës, do të fillojnë ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake, të cilat do të përfundojnë të premten, më 14 mars. Të dielën pasdite, më 16 mars, Papa Françesku do të shkojë për vizitë baritore në famullinë romake të Shën Marisë së Uratës. Më 28 mars, ditë e premte, Ati i Shenjtë do të kremtojë një liturgji pendestare në Bazilikën e Vatikanit, në orën 17.00.
Prilli fillon me vizitën baritore të Papës në një famulli romake, të dielën, në datën 6. Një javë më vonë, në të Dielën e Larit, në orën 9.30, mesha solemne me procesionin e dafinave e të palmave, gjatë së cilës Ati i Shenjtë do të bekojë dafinat e degët e ullirit, që do të sjellin besimtarët, në kujtim të hyrjes triumfale të Krishtit në Jeruzalem. Të Enjten e Madhe, më 17 prill, Mesha Krizmale apo e Bagmit, në orën 9.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Po këtu, të nesërmen, në të Premten e Madhe, kremtimi i Mundimeve të Krishtit, në orën 17, ndërsa në orën 21.15, siç është tashmë traditë, Papa Françesku do të marrë pjesë e do të kryesojë Udhën e Kryqit në Koloseum, vend i martirizimit të të krishterëve të parë. Të Shtunën e Madhe, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Bergolio do të kryesojë lutjen e meshën në Natën e Shenjtë të Pashkëve, duke filluar nga ora 20.30. Të Dielën e Pashkëve, mesha solemne në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.15, e më pas, bekimi “Urbi et Orbi” nga Llozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, në mesditë. Të dielën e fundit të prillit, e dyta pas Pashkëve, e diela e Mëshirës Hyjnore, në Vatikan shpallen shenjtorë të Kishës Katolike Papa i lum Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II. Natyrisht, Papa Françesku kremton meshën e shenjtërimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.