2014-02-26 16:30:48

Papa në audiencën e përgjithshme: Vajimi i të sëmurëve jep forcë e shpresë


Zoti ia beson çdo ditë Kishës të gjithë njerëzit, që vuajnë në korp e në shpirt. Këtë pohoi sot paradite Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar Sakramentit të Vajimit të të Sëmurëve. Papa kujtoi se nuk i duhet kërkuar me ngulm të tepruar Zotit të bëjë mrekulli, duke e rikthyer në jetë të sëmurin, që vajohet.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, një mendim i posaçëm për njerëzit e prekur nga sëmundje të rralla.RealAudioMP3

Sakramenti i Vajimit të të Sëmurëve na bën ta prekim me dorë mëshirën e Zotit për njeriun. Papa Françesku e nisi kështu katekizmin, duke nënvizuar se vajimi i të sëmurëve na kujton menjëherë shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë, që kujdeset me dashuri për njeriun e vuajtur, duke i hedhur mbi plagë vaj e verë, për t’ia besuar, më pas, të zotit të bujtinës:
“Tani, pyesim: kush është i zoti i bujtinës? Është Kisha, bashkësia e krishterë, jemi ne, që ditë për ditë Zoti Jezus na i beson të vuajturit në korp e në shpirt, për të hedhur mbi ta, pa kurrfarë mase, gjithë mëshirën e Tij e shëlbimin e Tij”.
Papa shtoi, më pas, se kjo lutje për të sëmurët praktikohej që në kohët e Apostujve, duke i lyer me vaj, në emër të Zotit:
“Jezusi i mësoi dishepujt të kenë po atë kujdes, që kishte Ai vetë, për të sëmurët e të vuajturit e u transmetoi edhe aftësinë e detyrën t’u çojnë, në emër të Tij e sipas zemrës së tij, lehtësim e paqe, përmes hirit të posaçëm të këtij Sakramenti. Pa harruar se nuk duhet zhvleftësuar me kërkimin e ankthshëm të mrekullisë ose me pretendimin se i sëmuri duhet të shërohet doemos e gjithmonë”.
Papa nënvizoi vlerën e afërsisë së Jezusit te koka e të sëmurit, sidomos, te koka e të moshuarit, sepse çdo i sëmurë, që i kalon 65 vjetët, kujtoi, mund ta marrë këtë Sakrament, me bindjen se po i afrohet Jezusi:
“...kur ndokush është i sëmurë, mendohet menjëherë. ‘Ta thërrasim priftin, meshtarin, që të vijë sa më parë’ – ‘Jo, jo, aman mos na ndillni zi’, jo, jo , nuk po e thërrasim’, ose ‘po na e tremb për vdekje të sëmurin’. E pse kështu? Nga që mendohet se, kur ndokush është i sëmurë e vjen prifti, mbas tij ia beh doemos edhe funerali: po kjo nuk është aspak e vërtetë! Meshtari vjen për ta ndihmuar të sëmurin ose plakun. Prandaj vizita, që i bën meshtari të sëmurëve, është shumë e rëndësishme”.
Ja, pra, pse meshtari duhet thirrur pranë të sëmurit, sepse është Jezusi që vjen, për ta lehtësuar, për t’i dhënë forcë, për t’i ngjallur shpresat, për ta ndihmuar. E edhe për t’ia falur mëkatet. E kjo, theksoi Papa, “është mrekullisht e bukur!”:
“E mos e mendoni këtë si tabù, mbasi është gjithnjë punë e bukur të mendojmë se në çastin e dhimbjes e të sëmundjes nuk jemi vetëm: meshtari e gjithë të pranishmit gjatë Vajimit të të Sëmurit, përfaqësojnë mbarë bashkësinë e krishterë që, si një korp i vetëm, me Jezusin, mblidhet rreth atij që vuan, duke e ushqyer me fe e shpresë e duke e ndihmuar fort me lutje e ngrohtësi vëllazërore”.
Ngushëllimi më i madh, vijoi Papa, buron nga fakti se është vetë Zoti ai, që bëhet i pranishëm përmes Sakramentit. Është Zoti vetë, që e merr për dore njeriun e vuajtur. Është Zoti, që e përkëdhel, ashtu siç bëri gjithnjë me të sëmurët.
Pas katekizmit, Papa kujtoi posaçërisht njerëzit me sëmundje të rralla, në ditën e sotme, që u kushtohet:
“… uroj që të sëmurët dhe familjet e tyre të ndihmohen sa më mirë në udhën e tyre jo të lehtë, si në nivel mjekësor, ashtu edhe ligjor” .
Ndërmjet 50 mijë besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, sot spikatën shumë fëmijë me maska karnavalesh, në këto shtatë ditë, që njihen si ‘Java e majme” a e ‘dhjamur’, e cila, pastaj, përfundon me të Mërkurën e Përhime, dita e parë e Kreshmëve. Françesku i puthi disa prej tyre. E u ndalua posaçërisht pranë dy fëmijëve, që nuk mund të mos ia tërhiqnin vëmendjen: njëri, i veshur si roje zvicerane, tjetri, si papë.
Në çastin e përshëndetjeve, Françesku iu drejtua veçanërisht komunikatorëve katolikë, që marrin pjesë në Kongresin Signis dhe drejtorëve të radiove katolike të Polonisë, ardhur në Romë për ushritmet shpirtërore. E pastaj, edhe delegacionit të Konfedilicia-s, të Konfagrikulturës si dhe të Shoqatës së shtypit romak.









All the contents on this site are copyrighted ©.