2014-02-26 14:05:17

Kardinali George Pell: përdorimi më i mirë i ekonomisë vatikanase do t’u shërbejë të varfërve


“Nëse do t’i përdorim më mirë pasuritë që na janë besuar, mund të përmirësojmë mundësitë për mbështetjen e veprave të mira të Kishës, veçanërisht veprat për të varfrit dhe të papërkrahurit”. Pohimin e bëri Kardinali George Pell, të cilin Papa Françesku e caktoi prefekt të Sekretarisë për Ekonominë, organizmi i themeluar para pak ditësh për drejtimin e të gjitha veprimtarive ekonomike dhe administrative të Selisë së Shenjtë dhe të Vatikanit. Fjalët e kardinalit u botuan në faqen e internetit të dioqezës së Sidnejt, ku ai ka shërbyer si kryeipeshkëv për 12 vjet, por që tani do ta lërë, për t’u vendosur në Romë, për detyrën e re.
Në një intervistë për gazetën “Sole 24 ore”, e përditshmja ekonomike-financiare më e rëndësishme në Itali, prefekti i ri shpjegon se puna e Sekretarisë për Ekonominë – e ndihmuar nga Këshilli për Ekonominë – do të synojë të administrojë “lëvizjet financiare të dikastereve të ndryshme, duke filluar me rishikimin e shpenzimeve”. Çdo tre muaj, saktësoi kardinali Pell, “do të kryhet kontrolli i të ardhurave dhe shpenzimeve”, me qëllim që të reformohet mënyra e programimit të bilanceve të secilit dikaster. “Do të ndryshojë kriteri i bilancit”, thotë më tej në intervistë, dhe shton se sot bilanci “është tepër i përgjithshëm e nganjëherë jo transparent. Ideja është të vendosim, në të gjitha nivelet, ‘checks and balances’ (kontrollet e baraspeshat), për ta njësuar bilancin, por në të njëjtën kohë për t’u siguruar dikastereve më shumë autonomi, sepse sot, për të blerë një bllok me letra, duhet të mbushin disa formularë. Është e nevojshme ta thjeshtojmë burokracinë”.
Për sa i përket Këshillit për Ekonominë, që do të përbëhet nga 8 kardinaj e 7 laikë, kardinali Pell pohon se ka menduar gjithmonë se “Kisha ka nevojë të udhëhiqet nga njerëz ekspertë në këtë sektor” dhe pret më kënaqësi të punojë sa më parë me anëtarët e Këshillit. “Duhet të jemi të hapur ndaj konsultimeve me ekspertët dhe të vetëdijshëm për mundësinë e përmirësimit të mënyrës me të cilën e drejtojmë administrimin financiar” – përfundon kardinali.








All the contents on this site are copyrighted ©.