2014-02-26 19:16:15

Boko Haram sulmon një lice nigerian: kardinali Onaiekan: dhunë, pa dallim


“Akt mizor, brutal, pa kuptim”. Me këto fjalë e dënoi presidenti i Nigerisë, Jonathan, sulmin e ri të fanatikëve islamikë të Boko Haram, të cilët sulmuan liceun federal të Bani Yadi, në shtetin verilindor të Yobes, duke mbytur mizorisht 43 nxënës, pothuajse të gjithë meshkuj, ndërmjet 11 e 18 vjetëve. Pastaj i kallën flakën ndërtesës shkollore e u zhdukën në errësirë. Pavarësisht nga gjendja e emergjencës, shpallur majin e kaluar nga autoritetet federale, u vunë edhe një herë në shënjestër të rinjtë e pambrojtur, për Boko Haramin, ‘fajtorë’ thjesht sepse duan të edukohen ‘ala perëndimorçe’. Që nga fillimi i kryengritjes kundër qeverisë, më 2009, milicët kanë bërë krime të tilla në shumë shkolla e vende kulti, posaçërisht të krishtera. Flet, për këtë situatë të rëndë, të përsëritur, kardinali Gjon Onaiekan, kryeipeshkëv i Abuzhës, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - U goditën të rinjtë e jo të rejat, të cilave bokoharamistët u thanë të nisen për në shtëpi, të martohen e të mos e humbasin kohën kot duke u ulur në bankat e shkollës. S’u duhet gjë shkolla, vajzave! Madje shkolla ‘ala perëndimorçe’ nuk u duhet gjë as djemve. Ata mendojnë se jo vetëm që nuk është e dobishme, por, madje, edhe e dëmshme. Sipas tyre, e vetmja shkollë e dobishme për rininë, është ajo islamike. E dimë të gjithë se sot formimi i të rinjve në nivel shkencor është i njëllojtë në mbarë botën. Po këta nuk e duan! Për këta shkollimi modern nuk vlen fare!

Pyetje: - Pse anëtarët e Boko Haram u sulen viktimave me gjithë këtë mllef?

Përgjigje: - Nuk di si të them. Edhe për ne nigerianët, kjo është fare e pakuptueshme. Nuk arrijmë ta marrim me mend ç’kanë këta njerëz në kokë, që i shtyn të rrethojnë fjetoret e një shkolle me të rinj e të reja, pa kurrfarë faji, t’i kallin flakën e të arrijnë deri aty, sa t’i presin në fyt ata, që përpiqen të ikin? Kjo për ne nigerianët është mizori, dhunë krejt pa kuptim. Këtu nuk bëhet fjalë për sulm kundër një kishe ose kundër një shkolle katolike: këtu feja nuk hyn fare! Mbysin kështu, edhe myslimanët.

Pyetje: - Myslimanët, që nuk u shkojnë pas qejfit, apo jo?

Përgjigje: - Gjë që do të thotë shumica e myslimanëve nigerianë. Atëherë mund ta quajmë dhunë pa dallim. Më vjen tepër keq, më dhemb zemra, si të gjithë nigerianëve, si të krishterë, ashtu edhe myslimanë.

Pyetje: - Atëherë, pse një pjesë e madhe e shtypit ndërkombëtar, kur kujton Nigerinë, flet për dhunë me shtysë fetare?

Përgjigje: - Më duket se e kanë bërë si të ishte dogmë. Sa herë ka çrregullime, shtypi flet për të krishterë e myslimanë. I njëjti problem, që ka tani Kisha në Afrikën Qendrore. Shtypi ndërkombëtar flet gjithnjë për milici të krishtera, e pra Kisha Qendrafrikane e ka thënë qartë: “Nuk kemi organizuar kurrfarë milicie”. Madje, prijësit e të krishterëve dhe të myslimanëve në Afrikën Qendrore kanë bërë përpjekje të veprojnë së bashku, për t’i qetësuar ujërat e për t’i zgjidhur problemet.

Pyetje: - Në mesazhin e tij të parë Urbi et Orbi, Papa Françesku e kujton Nigerinë e lutet për t’i kthyer kah Zoti zemrat e dhunshme, që të fitojë dialogu e paqja. Ja, pra, duhet të ketë një udhë, nëpër të cilën të kalojnë dialogu e paqja në Nigeri…

Përgjigje: - Lutemi gjithnjë, siç thotë Ati i Shenjtë: lutemi që Zoti t’ia ndërrojë zemrat njerëzve, që s’njohin tjetër, veç dhunës. Duhet të besojmë edhe se Zoti mund ta bëjë këtë, kur të dojë e si të dojë. Mund të veprojë në zemrat e këtyre njerëzve. Tjetër gjë, pastaj, është dialogu: të dialogosh do të thotë që palët të ulen së bashku rreth tryezës, duke qenë dakord për të folur. Po kur tjetri nuk do të flasë, si mund të dialogohet? Ky është problemi, që kemi sot në Nigeri. Megjithatë besoj se qeveria mund të bëjë më shumë: nëse do të ishin myslimanët ata, që do të flisnin në bashkësitë e tyre, me Boko Haramin, e pastaj do të vinin t’i jepnin përgjigje pjesës tjetër të vendit, ndoshta mund arrihej progresi i dëshiruar.








All the contents on this site are copyrighted ©.