2014-02-24 15:40:22

Kryeipeshkvi i madh i Kievit: në Ukrainë nisi procesi i shërimit


Filloi procesi i shërimit: kështu i komentoi ngjarjet e fundit në Ukrainë kryetari in Kishës greko-katolike të vendit, kryeipeshkvi i madh i Kievit, Sviatoslav Shevchuk, para mikrofonit të Radio Vatikanit:RealAudioMP3
Para së gjithash dëshiroj të them se tani Ukraina është e hutuar, pasi ka parë dhjetra njerëz të vrarë me gjakftohtësi, në qendër të kryeqytetit. Ukraina duhet të shërojë plagët, që pësoi këto ditë. Falënderit Zotit, ka nisur një proces kushtetues, në një mënyrë pak a shumë të arsyeshme. Parlamenti ynë filloi t’i shërbejë popullit. Gjatë këtyre ditëve kemi parë se hapi i parë, që e ndaloi zjarrin, qe vendimi për të ndaluar atë që përkufizohej si “veprim antiterrorist”, të cilin e kishte nga presidenti Janukoviç. Falë këtij vendimi, ushtria filloi ta braktisë lagjen presidenciale e kështu mundëm të ndalonim gjakderdhjen. Është fillimi i procesit të shërimit. Të shohim, si do të zgjidhet kjo situatë, në nivelin politik e ndërkombëtar.
A është në rrezik uniteti i vendit, në këto çaste, sipas Jush?
Pushteti i mëparshëm ka bërë gjithçka, për të provokuar përplasje ndërmjet pjesëve të ndryshme të vendit. Për të shpëtuar të paktën një pjesë të pushtetit, mendohej të ndahej Ukraina dhe të krijohej e ashtuquajtura Republikë e Ukrainës Lindore. Në këtë mënyrë, duke mos mundur ta shpëtonin pushtetin në të gjithë vendin, do t’u kishte mbetur të paktën një pjesë e tij. Tani mendoj se ky projekt ka dështuar tashmë. Sovraniteti i vendit tonë, si edhe tërësia tokësore, nuk do të vihen në dyshim nga askush.
Si i jeton këto çaste Kisha greko-katolike e Ukrainës?
Para së gjithash, Kisha jonë ka qenë gjithmonë me popullin e vet, sidomos kur populli ka vuajtur. Këto ditë, Katedralja jonë e Kievit, por edhe kishat e tjera të krishtera, u bënë spitale dhe salla operimi. Tani për tani u japi strehim mijëra njerëzve të plagosur. Kishat janë qendra të një solidariteti të jashtëzakonshëm. Njerëzit ndihmojnë, me të gjitha mjetet, për t’u dhënë ushqim njerëzve që gjenden aty dhe për t’u gjetur ilaçet. Është vënë në lëvizje tërë bashkësia, si ajo kishtare, ashtu edhe ajo qytetare në qytetin e Kievit dhe, mund të them, në mbarë Ukrainën. Kisha është gjithmonë me popullin e vet, si një nënë, si mësuesja e tij.
Papa është lutur disa herë këto ditë për Ukrainën...
Tri herë na ka dhënë zemër dhe ka treguar solidaritet me popullin ukrainas. Fjalët me të cilat është lutur dhe thirrja, për të ulur armët dhe për të zgjidhur në mënyrë paqësore konfliktin, janë dëgjuar shumë në Ukrainë. Prandaj, të gjithë qytetarët ukrainas, kishat dhe bashkësitë e ndryshme të krishtera, i janë me të vërtetë mirënjohëse Atit të Shenjtë








All the contents on this site are copyrighted ©.