2014-02-23 15:43:59

Papa në Engjëllin e Tënzot: të gjithë, bashkësi, shoqata e lëvizje, i përkasim Krishtit


Pas Meshës me kardinajtë e rinj, në mesditë, Papa kremtoi edhe lutjen tradicionale të Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e studios së tij private, në Pallatin Apostolik. Përballë turmës së shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, i nxiti gjithë të krishterët të punojnë për unitetin e Kishës, duke e shmangur çdo ndarje, sepse bashkësitë nuk i përkasin ndonjë predikatari, por vetë Krishtit.

Që në kohët e Shën Palit, Kisha provoi rrezikun e ndarjeve: në bashkësinë e Korintit, vërejti Papa duke komentuar Leximin e dytë të kësaj së diel, qenë formuar grupe, lidhur me predikatarë të ndryshëm, të cilët konsideroheshin si krerë. Prej këndej, thoshin: “Unë jam i Palit; unë, i Apolit; unë, i Çefës… (1,12). Shën Pali shpjegon se kjo mënyrë të menduari është e gabuar, sepse bashkësia nuk u përket Apostujve. Përkundrazi, janë Apostujt, që i përkasin bashkësisë, e bashkësia, e tëra, i përket Krishtit:
“Nga kjo përkatësi del se në bashkësitë e krishtera - dioqeza, famulli, shoqata, lëvizje - ndryshimet nuk mund t’i kundërvihen faktit se të gjithë, nëpërmjet Pagëzimit, kemi të njëjtin dinjitet: të gjithë, nëpër Jezu Krishtin, jemi bij të Hyjit. E ky është dinjiteti ynë: në Jezu Krishtin jemi bij të Hyjit. Ata që kanë marrë detyrën e udhëheqësve, të predikimit, të mbarështimit të Sakramenteve, nuk duhet ta mbajnë veten si zotërues fuqish të veçanta, si padronë, por të vihen në shërbim të bashkësisë, duke e ndihmuar të ecë me gëzim në udhën e shenjtërisë”.
Kisha, vijoi Papa, ia beson kardinajve të rinj dëshminë e këtij stili jete:
“Koncistori i djeshëm dhe Kremtimi i sotëm eukaristik na krijuan rastin e çmuar për të provuar katolicitetin, universalitetin e Kishës, përfaqësuar më së miri nga prejardhja e larmishme e anëtarëve të Kolegjit Kardinalor, shtrënguar në bashkim të ngushtë rreth Pasardhësit të Pjetrit. Zoti na dhëntë hirin të punojmë për unitetin e Kishës, ta ndërtojmë këtë unitet, mbasi uniteti është shumë më i rëndësishëm se ndeshjet. Uniteti i Kishës është në Krishtin, ndeshjet janë probleme që jo gjithmonë janë në Krishtin”.
Papa Françesku kërkoi, më pas, të përtëritet feja, dashuria për Krishtin e për Kishën e Tij e të mbështeten këta Barinj, duke i ndihmuar me lutje, për t’i prirë me zell gjithnjë më të madh popullit, që u është besuar, e për t’u treguar të gjithëve dhimbsurinë dhe dashurinë e Zotit:
“Sa nevojë për lutje ka ipeshkvi, kardinali, papa, që të mund ta ndihmojë të ecë përpara Popullin e Zotit. Them ‘ta ndihmojë’, domethënë, t’i shërbejë popullit të Zotit, sepse thirrja e ipeshkvit, e kardinalit, e papës, është pikërisht kjo: të jetë shërbëtor, të shërbejë në emër të Krishtit. Lutuni për ne, që të jemi shërbëtorë të mirë: shërbëtorë të mirë, jo pronarë të mirë!”.
Të gjithë së bashku, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë shekullarë, shtoi Ati i Shenjtë, duhet të japim dëshminë e një Kishe besnike ndaj Krishtit, të frymëzuar nga dëshira për t’u shërbyer vëllezërve e të gatshëm për t’iu përgjigjur me guxim profetik, shpresave e kërkesave shpirtërore të burrave e grave të kohës sonë. Zoja ju shoqëroftë e ju mbrojtë në këtë udhë.

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa i përshëndeti të gjithë shtegtarët e pranishëm, ndërmjet të cilëve, venezuelanët, që banojnë në Itali e, posaçërisht, të gjithë shtegtarët e ardhur me rastin e Koncistorit për t’i shoqëruar kardinajtë e rinj. Papa falënderoi edhe vendet e shumta, që deshën të jenë të pranishme në këtë ngjarje të madhe, me delegacione zyrtare.











All the contents on this site are copyrighted ©.