2014-02-23 16:21:37

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Shpirti Shenjt, Dashuri e padukshme, sepse e të gjithëve


Shpirti Shenjt “është Vetje në shumë vetje”. E ky, edhe përkufizmi i “Zotit të panjohur”, të cilit Katekizmi i Kishës Katolike i kushton shumë faqe. 20 vjet pas botimit të tekstit, jezuiti atë Dariush Kovalçik, ndalet pikërisht tek Shpirti Shenjt, në reflektimin e 32-të të ciklit të tij për Katekizmin.

“Të krishterët besojnë në Shpirtin Shenjt. Katekizmi sqaron: ‘Të besosh në Shpirtin Shenjt do të thotë të dëshmosh se Shpirti Shenjt është një nga Vetjet e Trinisë, i njëgjëshëm me Atin e Birin” (n.685). Me fjalë të tjera, Shpirti Shenjt është një Zot i vetëm, së bashku me Atin e me Birin. Shën Pali nënvizon se askush nuk mund të thotë: “Jezusi është Zot”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt (1 Kor 12,3). E vetëm për virtyt të Shpirtit Shenjt, që është në ne, mund të lutemi, duke thënë: “Abba, Atë!” (cfr. Gal 4,6).
Hyji Atë nganjëherë, sipas disa figurave biblike, paraqitet si “Zot i ulur mbi një fron të lartë”(Is.6,1). Vetja e dytë e Trinisë na e zbuloi fytyrën e tij në Jezu Krishtin, Birin e mishëruar. Po cila është fytyra e zbuluar e Shpirtit? Duhet vërejtur se simbolet e Shpirtit Shenjt, që i gjejmë në Bibël, janë pavetjake: pëllumbi, era, zjarri. Sikur Shpirti Shenjt të mos ishte Vetje, por energji hyjnore. E pra nuk është ashtu. Madje në këtë mënyrë na zbulohen karakteristikat vetjake të Shpirtit Shenjt.

Në Besëlidhjen e Re, Shpirti Shenjt nuk thotë kurrë ‘unë’, nuk e tregon kurrë vetveten e nuk flet kurrë për vetveten. Shpirti Shenjt nuk na e tregon drejtpërdrejt fytyrën e tij. Vetja e tretë hyjnore, në të vërtetë, është vetë dashuria ndërmjet Atit e Birit. Nuk ekziston në vetvete, sepse, siç thotë Sergej Bulgakov, është i tëri në të tjerët, në Atin e në Birin”.

E kështu edhe në Kishë, ku Shpirti Shenjt vepron përmes njerëzve. Mund të thuhet se ai është Vetje, në shumë vetje. Erën nuk e shikojmë, por mund të shikojmë lëvizjen që vjen prej saj. Rezultati i parë, shkaktuar nga Shpirti Shenjt, është dashuria. Fytyra e Shpirtit Shenjt në Kishë është ajo e një bashkësie, që sjell frytet e dashurisë. Shpirti Shenjt na dëftohet ne, duke krijuar bashkimim ndërmjet njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.